19:49 / E Premte, 19 Nëntor 2021 / MSH

LDK reagon pasi PZAP-ja anuloi votat me postë për kryetar të Dragashit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar votat me postë në garën e balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.

Në lidhje me këtë një reagim ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ka thënë se PZAP ka marrë vendim skandaloz e të paprecedentë në sistemin zgjedhor të Kosovës si dhe po tenton të ndryshoj vullnetin qytetar.

”Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se gjithë procesi i regjistrimit dhe votimit të qytetarëve tanë nga jashtë vendit, bazuar edhe në vendimet e KQZ-së, është zhvilluar brenda afateve dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Prandaj, ky proces, procesi i votimit përmes postës, nuk është kontestuar në asnjë fazë të zhvillimit të tij nga askush dhe është vlerësuar plotësisht i ligjshëm edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka proceduar me pranimin, verifikimin dhe numërimin e këtyre votave në përputhje me procedurat e parapara ligjore. Kujtojmë se të njëjtat vota ishin pranuar e certifikuar në raund të parë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ndërkaq, PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.

Kjo erdhi pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani më 17 nëntor bëri ankesë në PZAP pasi pretendonte se në raundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulime të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.