19:00 / E Mërkurë, 21 Gusht 2019 / indeksADMonline

LDK reagon për emërimin e Nait Hasanit Ambasador në Shqipëri

Pas emërimit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasanit, në postin e ambasadorit të Shqipërisë, vjen reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan Insajderi.

LDK, ka thënë se Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorë të rinj.

Ata kanë shprehur, siç thonë, shqetësimin për emërimet e kundërligjshme të ambasadorëve, që së fundi i ka bërë Qeveria e dorëhequr.

“Me këto veprime, Ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me Kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe Presidentin Thaqi kanë degraduar edhe me tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në një komunikatë dërguar medieve.

Sipas LDK-së, veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik.

“Krahas saj, Lidhja Demokratike dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit në ikje PDK, AAK, NISMA dhe AKR për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politik një ditë para shpërndarjes së Kuvendit. Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë në të, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politik.

Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së Kryeministrit”, thuhet tutje në komunikatë.

Siç  thuhet në komunikatë, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me parimin e meritokracisë.

Kujtojmë se sot përmes rrjetit social Facebook, anëtari i komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Zafir Berisha, bëri të ditur se ky komision ka marrë në pyetje të propozuarin për Ambasador në Shqipëri, Nait Hasanin.