09:52 / E Shtunë, 02 Korrik 2022 / Gj. Sh

Leao detyrohet t’i paguajë një shumë të majme ish skuadrës së tij

Konflikti mes sulmuesit portugez Leao dhe klubit të Sportingut të Lisbonës, duket se po vjen drejt fundit.

Sipas mediave portugeze, ka qenë agjenti Jorge Mendes ai i cili ka negociuar mes palëve, për një dëmshpërblim prej 19 milionë eurosh, të cilat do të shkojnë në arkat e klubit portugez dhe do të ndahen nga 9.5 mes Leaos dhe klubit francez të Lille.

Sulmuesi i talentuar u largua nga Sportingu i Lisbonës në një moment problematikash në klub, por ishte ende nën kontratë dhe pas ankimimit, skuadra portugeze ia doli të fitojë të drejtën e një dëmshpërblimi prej 16.5 milionë eurosh, që bashkë me interesat, kalonte shifrën e 20 milionë eurove.

Megjithatë ndërhyrja e Mendes ka bërë që palët të arrijnë marrëveshjen për një shifër prej 19 milionë eurosh, të cilat Leao do t’i paguajë gjysmë për gjysmë me klubin francez të Lille, aty ku u transferua pas largimit nga Sportingu.

Natyrisht kjo shifër do të rëndojë jo pak xhepat e sulmuesit portugez, që pritet të paraqitet me pretendime të mëdha në negociatat për rinovimin e kontratës me Milanin, pasi synon të rikuperojë edhe paratë e humbura.