LeBron James “gjunjëzohet” para magjisë së James Harden
James Harden magjeps publikun e “Toyota Center” në përballjen me Los Angeles Lakers, të cilën Houston Rockets e fituan me rezultatin 126-111.
“Mjekroshi” rezultoi thjesht i papërmbajtshëm, duke shënuar plot 50 pikë, dhënë 11 asiste dhe kontrolluar 10 topa poshtë koshit, për një “triple double” që do të ketë lënë pa fjalë edhe LeBron James.
“Ylli” i Lakers, ishte më i miri në radhët e kalifornianëve me 29 pikë, por që ishin të pamjaftueshme para performancës për kopertinë të Harden. Sfida ishte e ekuilibruar deri në mesin e periodës së katërt, por pikërisht në këtë moment vendimtar, Harden realizoi 15 nga 17 pikët e fundit të Rockets. Një fitore morali kjo për Houstonin, që duhe të ruajë ecurinë pozitive për t’iu afruar sa më shpejt zonën play off.
JAMES HARDEN MY GOODNESS! ?#Rockets pic.twitter.com/i9wjGPZSDZ
— NBA on TNT (@NBAonTNT) December 14, 2018
San Antonio Spurs morën një fitore të lehtë 125-87 përballë Los Angeles Clippers, me kalifornianët që zhvilluan një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit. Spurs e patën të lehtë me dyshen Aldridge-Gay, me 48 pikë në total, duke siguruar fitoren e katërt radhazi, që i ngjit në vendin e 10-të në Perëndim.
Phoenix Suns fituan 99-89 me Dallas Mavericks, por më shumë se suksesi i ekipit nga Arizona përbën lajm rikthimi mbi parket i Dirk Nowitzkit, që mungonte për shkak të një dëmtimi në kavilje që nga muaji prill. 6 minuta u aktivizua basketbollisti gjerman i Mavericks, i cili bëhet i pari lojtar që luan për 21 sezone radhazi me të njëjtën skuadër.
Për Suns, që siguruan fitoren e pestë sezonale, që gjithsesi nuk i largon nga fundi i renditjes në Perëndim, spikati me 30 pikë T.J. Warren, ndërsa Jamal Crawford shtoi 17 pikë të tjera.
Përballja mes Orlando Magic dhe Chicago Bulls u luajt në Qytetin e Meksikos dhe përfundoi me fitoren 97-91 të Magic. Spikati në këtë ndeshje Nikola Vucevic me 26 pikë e 10 topa poshtë koshit, ndërsa në kampin kundërshtar të Bulls-ave, Zach LaVine realizoi 23 pikë, por që nuk i dhanë kënaqësinë e fitores.