75 Mall Live Search
14:05 / E Hënë, 23 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Leclercu nënshkroi kontratë të re me Ferrarin

Charles Leclerc, i ardhur një vit më parë te Ferrari, ka rinovuar sot kontratën me makinën italiane deri në vitin 2024.

Piloti do të garojë kështu edhe për 5 sezone të tjera me “kokëkuqen”.

Në sezonin e tij të parë me Ferrarin, 22-vjeçari arriti 2 fitore dhe 7 “pole position”, duke u klasifikuar më mirë se shoku i tij i skuadrës, Sebastian Vettel.

Sipas mediave italiane, Leclercu do të përfitojë 9 milionë euro në sezon, 3 herë më shumë nga paga aktuale.

Një dhuratë e bukur për Krishtlindje kjo për Leclercun, që këtë sezon nuk zhgënjeu në paraqitjen e tij të parë me makinën italiane.

Rezultatet në pistë duket se kanë bindur drejtuesit e “kokëkuqes” t’i rinovojnë kontratën pilotit, që konsiderohet si e ardhmja e Formula 1.

“Ky ishte një vendim natyral nga ana jonë dhe jemi të kënaqur që do të bashkëpunojmë edhe 5 vjetët e ardhshëm”, tha Mattia Binotto, drejtori sportiv i Ferrarit.

Tashmë mbetet për t’u mësuar emri i pilotit të dytë të Ferrarit për sezonin 2021, teksa rinovimi i Vettelit duket në dyshim.

Max Verstappeni dhe Lewis Hamiltoni janë dy kandidatë për të ardhmen e “kokëkuqes”.