22:30 / E Martë, 20 Tetor 2020 / indeksADMonline

Legjislaturë shumë e dobët, nga 141 projektligje u miratuan vetëm 12

Kuvendi është njëri nga tri institucionet më të rëndësishme në vend, bashkë me Qeverinë dhe Presidencën. Ai duke qenë organi kryesor ligjvënës ka rol përveç në aprovimin e ligjeve, edhe në vëzhgimin e punës së qeverisë dhe monitorimin e saj.

Mirëpo këtë vit sikurse rrallë herë funksioni i tij parësor, ai i aprovimit të ligjeve e nismave ligjore, po vlerësohet të jetë i dështuar.

Kështu po e vlerësojnë ata që përcjellin nga afër punën e Kuvendit të Kosovës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se Kuvendi gjatë këtij viti është ballafaquar me probleme të shumta, e kjo si rezultat i brishtësisë së shumicës parlamentare por edhe polarizimit të skajshëm politik.

“Karakteristikë e kësaj legjislature, sidomos pas ndryshimit të Qeverisë ka qenë pamundësia për sigurimin e numrit minimal të votave për kuorumin, për kalimin edhe të projektligjeve të thjeshta proceduralisht”, tha Cakolli.

Ai tutje theksoi se edhe gjuha jo parlamentare ka qenë njëra nga karakteristikat e këtij vitit të parë të legjislaturës së VII-të.

“Puna e Kuvendit këtë vit është karakterizuar edhe me përdorim të shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve joparlamentare nga ana e deputetëve, që kanë penguar shpesh mbarëvajtjen e punimeve si në seanca ashtu edhe në mbledhje të komisioneve”, theksoi tutje ai.

Se puna e Kuvendit ka qenë e dobët dhe se bashkëpunimin në mes të pozitës dhe opzoitës ka qenë skajshmërisht i polarizuar  dëshmon me faktin se është dashur 7 herë që para deputetëve të dal për votim projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili është cilësuar si një infuzion i mirë për ekonominë kosovare, në këtë kohë pandemie.

Mirëpo kjo nuk ka qenë nisma e vetme ligjore që ka hasur në vështirësi për tu proceduar tutje.

Nga gjithsej 141 projektligje të parapara, vetëm 12 prej tyre kanë arritur të miratohen.

“Sa i përket ushtrimit të funksionit ligjvënës, Kuvendi ka performancë shumë të dobët, e cila ndërlidhet edhe me situatën me pandeminë, me vetëm 12 të miratuara nga 141 të parapara gjithsej”, nënvizoj Cakolli për IndeksOnline.