Lejlekëve në Prizren u vendosen GPS për monitorimin e tyre, e konfirmon Linda Çavdarbasha

Dy lejlekë të bardhë në Prizren, të cilët janë quajtur Sharri dhe Pashtriku, janë pajisur me pajisje GPS dhe janë unazuar si pjesë e një projekti të ri për monitorimin e shtegëtimit të tyre.
Lajmin e konfirmon Linda Çavdarbasha nga Qendra për Edukim dhe Hulumtim Mjedisor (KEERC), e cila thekson rëndësinë e këtij projekti për ruajtjen dhe studimin e faunës së egër në Kosovë.


“Pajisja me GPS do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë rrugët që ndjekin lejlekët gjatë migrimit të tyre dhe shpresojmë që këta individë të kthehen sërish në vendlindje, në Prizren”, tha Çavdarbasha.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së ndërgjegjësimit për ruajtjen e specieve migratore dhe ndjekjes së ndikimeve klimatike apo njerëzore në habitatet e tyre natyrore.
Projekti është zhvilluar nga Kosova Environmental Education & Research Center (KEERC) dhe përfaqëson një nga iniciativat e para të këtij lloji në rajon për monitorimin satelitor të shpezëve migratorë.