Lekaj i quan të turpshme deklaratat e Kurtit për Thaçin e Veselin: Pa ta s’do të kishte shtet, flamur e as institucione që ti i ke uzurpuar

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti pas deklartës së tij ku aludoi se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e udhëheqin PDK-në nga paraburgimi i Gjykatës Speciale në Hagë.
Lekaj i quajti të turpshme deklaratat e Kurtit.
“Deklaratat e Kurtit kundër ish-krerëve të shtetit dhe komandantëve që sot padrejtësisht mbahen në Hagë janë një turp i madh për një kryeministër të Kosovës. Ata që dolën përballë Serbisë, që udhëhoqën luftën për liri, që guxuan kur Kosova digjej dhe shqiptarët vriteshin, nuk e meritojnë baltën që ua hedh sot Albin Kurti, i cili asnjëherë nuk pati guximin as të marrë përgjegjësi, e as të mbrojë vendin kur ishte më e nevojshme.”, ka shkruar Lekaj.
Ai ka thënë se “po të mos ishin ata burra që sot padrejtësisht mbahen në Hagë, ti, zoti Kurti, sot nuk do të kishe as lirinë të flasësh kundër tyre”.
“Nuk do të kishte as shtet, as flamur, as institucione që ti i ke uzurpuar për interesa personale. Populli i Kosovës e di mirë kush e solli lirinë dhe kush e ndërtoi shtetin. Ata janë heronj të Kosovës, e jo armiq, dhe ne nuk do të lejojmë që historia të shkruhet nga frika e jotja. Lavdi atyre që e sollën lirinë dhe po mbahen padrejtësisht në Hagë!”, ka shkruar Lekaj.