11:09 / E Diele, 22 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Leku forcon pozitat ndaj monedhave të huaja në fundvit

Në tregun e këmbimit valutor në Shqipëri, në prag të festave të fundvitit, Leku ka forcuar pozitat ndaj monedhave të huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët evropiane, Euro këmbehet me 121.83 lekë ose 0,14 lekë më pak se një ditë më parë.

Ndërsa paundi britanik është zhvlerësuar me 0.59 lekë duke u këmbyer sot në nivelin e 142.92 lekëve.

Me 0.05 lekë është zhvlerësuar edhe Franga Zvicerane, e cila këmbehet me 111.72 lekë.

Ndërsa monedha e gjelbër amerikane është forcuar lehtë me 0.03 lekë dhe këmbehet këtë fund javë me 109.56 lekë.

Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Ekspertët bankar parashikojnë luhatje të këmbimit valutor në javën e fundit të muajit dhjetor, kjo sipas tyre me rritjen e fluksit të qarkullimit të mallrave dhe kërkesë ofertës në treg për valutë, por siç shprehen ata, “luhatjet do të jenë brenda parashikimeve të BSH-së dhe normave të pritshme”.