“Lëndim i lehtë trupor”, kështu klasifikohet sipas policisë rasti i djeshëm i Shpejtim Bulliqit

Ramadan Zymeri, shef i transportit në Komunën e Podujevës ka deklaruar dje se është sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Ndonëse ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë, sot në raportin e policisë dërguar mediave, ky rast është klasifikuar si lëndim i lehtë trupor.
“Lëndim i lehtë trupor – Rruga “19 Qershori”, Podujevë. Më 09 shkurt, në ora 09:35, viktima mashkull kosovar ka njoftuar se derisa ishte duke kërkuar ndihmë mjekësore për nënën e tij në shtëpinë e shëndetit në Podujevë, nga i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se është sulmuar verbalisht dhe fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.
Zymeri dje i ka thënë IndeksOnline se është sulmuar fizikisht nga Bulliqi, teksa ishte në Qendër të Mjekësisë Kryesore Familjare, në Podujevë.
“Është e vërtetë që ka ndodhur sulmi. E kam nënën të sëmurë i ka dy këmbët e amputume dhe gjithmonë shkojmë me marrë një ekip të mjekëve me ba pastrimin dhe ndërrimin e asaj katetes a qa është. Ai ish kanë për vizitë pune dhe kur më ka pa, mu ka drejtu, tha çka ke lyp ti këtu, çka je sill këndej, pse nuk je në punë. Kur unë deshta t’i tregoja se pse jam këtu, i tregova që kam ardh me marrë ekip mjekësor për nanën, në mënyrë të butë dhe të qetë, aty ka qenë prezent drejtori i QKMF-së edhe ka qenë zëvendësi i tij Bajram Bajgora, i cili gjithmonë më ka dërguar autoambulancën”, tregon Zymeri.
Madje ai tregon se si e kishte kërcënuar Bulliqi dhe momentin që e kishte sulmuar fizikisht.
“Më tha pse s’je në punë prapë. I thash o unë prej punës erdha dhe sipas vendimit të IKSHPK-së unë i kam mbi 60 vjet, unë jam me orar të reduktuar, kur ka nevojë më thërrasin. Dhe veç ma ka ngjit prej krahu tha hajde qenkej, u nda prej ekipit. Më tha: A e din se krejt këtë gabzherr ta nxjerri me qeta gishta, i ka zgjatë gishtat dhe më ka kërcënuar dhe më ka sulmuar fizikisht”, tha Zymeri që në Komunën e Podujevës është shef i transportit.
Por kjo sipas Bulliqit është jo e vërtetë. “Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i Komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka thënë Bullqi.
Gjatë vizitës në QKMF, Bulliqi thotë se ka qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta.
E ndaj këtij rasti kishte reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, dhe ish kryetar i Podujevës, Agim Veliu.
“Për pak muaj në krye të Komunës së Podujevës, përveç hakmarrjes politike, arrogancës së pushtetit, linçimeve publike, aferave dhe shkarkimeve të dyshimta, tashmë Shpejtim Bulliqi, ka eskaluar duke përdorur edhe dhunë ndaj qytetarëve”, ka thënë Veliu./IndeksOnline/