Leposaviq: Mashtrohet viktima nga shoku, i merret kartela bankare
Në Leposaviq raportohet një rast i veprës penale të “Mashtrimit”, policia apelon te qytetarët që të kenë kujdes
Dje rreth orës 17:15, në stacionin policor në Leposaviq është raportuar një rast i mashtrimit.
Sipas hetimeve fillestare, rasti ka ndodhur më 3 shkurt, ku ankuesi dyshohet se është mashtruar nga shoku i tij, i cili me pretekst të rremë ka arritur të siguronte kartelën bankare të ankuesit, duke pretenduar se babai i tij do t’ia kryente një obligim kreditor që kishte ndaj bankës.
Më pas, pa dijeninë dhe pëlqimin e ankuesit, i dyshuari ka tërhequr nga llogaria bankare shumën prej 600 eurosh.
Sipas policisë, në stacion është intervistuar i dyshuari D.S., (2003).
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pas intervistimit është liruar, ndërsa i njëjti do të hetohet për veprën penale “Mashtrim”.
“Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve, duke qenë të kujdesshëm në dhënien e të dhënave personale dhe bankare. Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët të kontaktojnë Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

