75 Mall Live Search
19:00 / E Shtunë, 11 Tetor 2025 / MSH

Letër kërcënuese në Notre-Dame, paralajmërohet sulm me thikë

Një letër anonime kërcënuese është zbuluar pasditen e së premtes në Katedralen Notre-Dame në Paris, duke ngritur alarmin për një sulm të mundshëm me thikë.

Sipas të përditshmes franceze “Le Parisien”, dokumenti u gjet nga sakristani i katedrales pranë zonës ku vendosen qirinjtë, shkruan euronews.

Letra, e shkruar me makinë shkrimi, përmbante një mesazh shqetësues:

“Mos e hapni katedralen më 11 dhe 12 tetor. Do të ketë vizitorë të huaj të cilët, me ndihmën e vizitorëve të tjerë, kanë fshehur tashmë thika në katedrale ditët e fundit. Ata do të kryejnë një masakër. Ju lutem, mos e hapni katedralen.”

Pas këtij zbulimi, autoritetet e sigurisë vendosën të mos evakuojnë katedralen, por të shtojnë menjëherë masat e sigurisë. Ambientet e brendshme iu nënshtruan një kontrolli të detajuar për armë apo objekte të dyshimta, por deri tani nuk është gjetur asgjë e tillë.

Policia franceze është vënë menjëherë në dijeni dhe ka nisur një hetim zyrtar për të identifikuar autorin e letrës dhe për të përcaktuar nëse kërcënimi përbën rrezik real.

Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë në Francë, ku autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut nga sulmet ekstremiste. Për fundjavën, janë vendosur masa shtesë sigurie jo vetëm në Katedralen Notre-Dame, por edhe në pika të tjera kyçe të Parisit.