Letra e kongresistëve, momentum i ri për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Letra e dy kongresistëve amerikane, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan drejtuar presidentit Donald Trump ku propozojnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një zhvillim pozitiv.
Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Shtetet e Bashkuara po e kuptojnë se vetëm një marrëveshje finale mes Prishtinës dhe Beogradit mund të mbyllë çështjen më të nxehtë në Ballkanin Perëndimor.
“Me këtë letër është dëshmuar një gjë që po krijohet momentumi, pra po fillon të krijohet momentumi për pikën më të rëndësishme, ajo është marrëveshja finale sepse edhe në SHBA janë lodhur marrëveshje pas marrëveshje. Pra e kanë kuptuar që nuk po zgjidhet problemi kryesor apo paqja e qëndrueshme për të cilën kanë investuar shumë BE dhe SHBA”, tha mes të tjerash Profesori Dritëro Arifi.
Megjithatë kjo mundësi po e zë Kosovën pa Kuvend dhe Qeveri të re që do t’i shërbente për të lobuar në Shtetet e Bashkuara, si një palë e interesuar për t’i dhënë fund këtij procesi në mënyrën më të mirë.
Edhe administratës amerikane të Trump do t’i shërbente një sukses në arenën ndërkombëtare, shkruan A2 CNN.
“Në politikën e jashtme të SHBA do të kërkohet një storie suksesi, megjithatë do të kërkohet një storie suksesi po themi ‘ndërprerje’ e një lufte apo konflikti shumë të gjatë dhe arritja e një marrëveshjeje të tillë në mes të mandatit apo në fund të mandatit të Trump do të ishte një arritje shumë e madhe jo vetë për SHBA poredhe për vet Europën”, vijoi Profesori Dritëro Arifi.
Europa nuk do të kundërshtonte një marrëveshje finale pasi gati një dekade e gjysmë negociata pa ndonjë rezultat konkret.
Ndërsa edhe Beogradi do të duhet të pajtohet me fatin se duhet dhënë fund këtij procesi ku padyshim do të ketë kompromise.
“Nëse SHBA e kanë analizuar mirë dhe vijnë në një konkludim që duhet të bëhet një marrëveshje për të dhënë një model edhe te konfliktet e tjera, atëherë as Beogradi, as Prishtina nuk do të pyeten shumë, do të ulen në tavolinë dhe do të ‘detyrohen’ ta nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare kuptohet aty do të ketë edhe kompromise nga të dyja palët”, tha Profesori Dritëro Arifi.
Ne letrën e tyre, dy kongresistët ndajnë mendimin se një ujdi e mundshme paqeje dhe njohje reciproke do të krijojë kushtet për një Ballkan më të qëndrueshëm dhe paqësor./Indeksonline/