75 Mall Live Search
09:43 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / OSH

Letra prekëse e kirurgut kosovar për stafin e Infektivit ku qëndroi për 3 javë

Kirurgu i njohur kosovar, Sejdi Statovci, ka arritur ta mposhtte Covidin-19 pasi ka qëndruar plot 22 ditë në Klinikën Infektive.

Kirurgu i fëmijëve ka lavduar pa masë stafin mjekësor në Infektiv, duke thënë se ishte me fat që ka qenë pacient i këtij stafi.

Me një letër publike, Statovci ka thënë se përkujdesi profesional i ka dhënë atij kurajo që ta kalonte këtë sfidë jetësore.

“Sado fjalë të shkruaj në këtë postim, çfarëdo që të them nuk mjafton për të përshkruar respektin dhe falënderimin tim për ju kolegë të Klinikës Infektive, për punën dhe angazhimin tuaj në trajtimin profesional, human dhe dinjitoz të pacientëve me Covid-19.

Unë pata fatin që të isha pacient juaji për 22 ditë në Repartin F dhe të ju shoh nga një kënd tjetër, jo vetëm si kolegë, por edhe si një pacient. Munda ta shihja, ta ndjeja dhe ta përjetoja gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën tuaj të përditshme me gjithë sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqoheni çdo ditë.

Fillimisht nuk desha të përmend emra, sepse dikujt me siguri do t’i mbetem borxh pasi të gjithë kolegët e Klinikës Infektive jeni interesuar për gjendjen time, më keni vizituar, më keni këshilluar dhe më keni dhënë kurajo. Sidoqoftë, barrën më të madhe në përkujdesjen ndaj meje e kishin stafi i Repartit F, dr. sc. Sadije Namani, dr. Gezim Morina, dr. Luljeta Hasani, dr. Teuta Mustafai. Mjekët e rinj, dr. Edona Muçiqi, dr. Gramoz Bunjaku, dr. Alban Blakaj si edhe infermieret e mrekullueshme të repartit të cilat përveq terapisë dhe obligimeve të tjera të punës gjithmonë ishin të durueshme, të buzëqeshura e të kujdesshme dhe rrezatonin energji pozitive që pacientëve ua shtonte optimizmin. Ju lumtë.

Një falënderim veçantë për prof. dr. Salih Ahmeti, i cili çdo herë ka ardhë dhe ka dhënë kontributin e tij të çmuar edhe pse unë nuk isha në repartin e tij. Një profesor dhe para së gjithash një burrë me virtyte të larta.

Drejtoresha e klinikës dr. Lindita, doktoresha Hatixhe, dr. Fikrije (mikrobiologe), dr. Njomza, miqtë e mij infektologë, dr. Arbeni, dr. Izeti, dr. Murati, dr. Veliu, pulmologu dr. Besim Morina dhe të gjithë ju të tjerët miqtë e mi, që nuk ju përmenda, ju falënderoj nga thellësia e zemrës për çdo gjë që keni bërë për mua.

Kolegët e Kirurgjisë së Fëmijëve ishin me mua gjatë gjithë kohës, me vizitat e përditshme, interesimin dhe përkrahjen e tyre që për mua ishte shumë e rëndësishme dhe inkurajuese.

Dhe në fund, ata që bartën barrën më të rëndë emocionale, përkujdesjen për çdo gjë dhe më dhanë forcën dhe vullnetin për t’ia dalë mbanë ishte familja ime.

Të gjithë ju dashamirët e mij që ishit të brengosur për gjendjen time dhe në çfarëdo mënyre jeni interesuar dhe solidarizuar me mua, ju faleminderit dhe Zoti jua shpërbleftë.

Uroj që asnjë nga ju të mos infektoheni me Covid-19, ndërsa ata që infektohen uroj ta kaloni sa më lehtë dhe sa më shpejt.

Me respekt, juaji dr. Sejdiu”, shkruan kirurgu Sejdiu në njoftim./Indeksonline/