21:31 / E Diele, 03 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Letra prekëse e shkrimtarit kosovar drejtuar kryeministrit Haradinaj!

Shkrimtari kosovar Azem Deliu, i cili njihet për shkrimet e tij të veçanta, ndërsa së fundmi ka triumfuar edhe në Rezidencën e Artistëve në Poloni sot i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, ndërsa brenga e tij është ajo si e të gjithë kosovarëve, liberalizimi i vizave,  shkruan Indeksonline.

Kjo është edhe letra e plotë e shkrimitarit të cilën e ka postuar edhe në rrjetin social Facebook:

I dashur Kryeministër,

me 19 shtator e kam fituar Rezidencën e Artistëve në Poloni në një garë ndërkombëtare që ka zgjatur rreth 2 muaj (veç gara, pa e numëruar punën me projektin). Kam kujtuar se kjo është puna më e vështirë, por jo. Prej një muaji po sorollatem rrugëve duke nxjerrë dokumente. Veç numrin e këpucëve s’ma kanë kërkuar ende. Po të prezentoj pra, nëse nuk e di, e nuk besoj që nuk e di, me shtetin të cilin e udhëheq. Po na del që, ata që e kanë pasaportën e Kosovës, e kanë më të lehtë të fitojnë gara ndërkombëtare, sesa të udhëtojnë në vendet ku kanë fituar. E si është ironia ndryshe? Kush është përgjegjës, kryeministër?

Djali i axhës tim, i shpallur student i dalluar në Arkitekturë e i pranuar për doktoraturë në Vjenë, nuk ka udhëtuar dot. A e di pse? Sepse zonjës së ambasadës dikush në mëngjes ia kishte shërbyer kafenë pa sheqer e, që nga ai moment, ajo kishte vendosur t’i refuzonte nja tri kërkesa për vizë. Nga ai moment, pak rëndësi kishte a i plotësonin njerëzit kriteret apo jo. Po na del që shtetin tonë, i dashur kryeministër, është më e lehtë të pranohesh për doktoraturë në një shtet, sesa të udhëtosh në shtetin ku je pranuar. Si është ironia ndryshe? Kush është përgjegjës?

Ju rehatohuni nëpër kolltuqe të nxehta e bëjeni debatin të cilit s’i dolët në fund prej vitesh. Shijoni pasaportat diplomatike e prandaj, edhe nuk pres ta kuptoni frustrimin tonë.

Uroj, z.Kryeministër, që t’i thërrisni mendjes! Unë nuk e di a po humbasim tokë, por e di që nuk mund dhe nuk duhet ta humbasim lirinë!

Azem Deliu.