Letra që Trump i dërgoi Vuçiq-it, e ngjashme me atë të Thaçit
Më 18 dhjetor u bë e ditur se presidenti amerikan, Donald Trump, i dërgoi një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Në letrën e Trump që mban datën e 14 dhjetorit, ky i fundit, ndër të tjera i kërkonte presidentit kosovar dhe liderëve të tjerë që të shfrytëzojnë këtë moment unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë
Një letër të ngjashme që mban po të njëjtën datë ka pranuar edhe homologu serb i Hashim Thaçit, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë letër që Klan Kosova e ka siguruar ku po ashtu flitet për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi theksohet se duhet të shfrytëzohet kjo mundësi unike.
Letrën e plotë që presidenti amerikan Donald Trump ia ka dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq e gjeni më poshtë:
Ishte kënaqësi të ju shihja në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë lidershipin tuaj, veçanërisht në sigurimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Kosovën.
Derisa po futeni në fazën finale të arritjes së një marrëveshje me Kosovën që do të sjellë paqen e kërkuar që sa kohë në rajon, ju inkurajoj që ta kapni momentin dhe ta shfrytëzoni lidershipin tuaj politik që të merrni vendimet e duhura për të balancuar interesat e të dyja vendeve.
Do të ishte për keqardhje nëse do ta humbisni këtë mundësi unike për paqe, siguri dhe rritje ekonomike.
Ju nxis të dyja palëve që të arrini një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve sa më shpejt që është e mundur dhe që të përmbaheni nga veprimet që e bëjnë akoma më të vështirë arritjen e kësaj marrëveshje. Një marrëdhënie paqësore dhe produktive mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte një arritje/moment historik për regjionin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje gatishmërie që të japin ndihmën e tyre.
Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres ju dhe Presidentin Hashim Thaçi, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike.
