75 Mall Live Search
13:45 / E Martë, 08 Tetor 2019 / indeksADMonline

Lëvizja “FOL”: Ministri Tahiri të mos emërojë asnjë noter

Lëvizja “FOL” me disa organizata të tjera të shoqërisë civile ka reaguar në lidhje me procesin e dyshimtë të përzgjedhjes së noterëve të udhëhequr nga ministri në largim i drejtësisë, Abelard Tahiri.

Sipas tyre thuhet se procedura e përzgjedhjes së noterëve të rinj është zhvilluar edhe gjatë kohës kur qeveria nuk kishte legjitimitet për të zhvilluar një proces të tillë. Organizatat kanë thënë se përzgjedhja e noterëve është bërë, duke mos respektuar standardet minimale të transparencës për të bindur publikun dhe opinionin e gjerë se ky proces është i drejtë, i paanshëm, i pavarur dhe i bazuar në meritokraci të kandidatëve.

“FOL”-i me organizatat  e tjera kanë akuzuar se lista e përbërë e kandidatëve është e përbërë nga familjarë dhe njerëz të ndërlidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës është vetë ministri në largim Tahiri, si edhe të partive të tjera politike nga i gjithë spektri politik.

Sipas tyre thuhet se lista përmban, po ashtu persona të ndërlidhur ngushtë me anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit për noterinë, duke nxitur edhe më shumë dyshime rreth konfliktit të interesit midis anëtarëve të komisionit dhe kandidatëve për noterë dhe mundësisë së rrjedhjes së informatave për të favorizuar disa kandidatë.

Në kërkesën e tyre organizatat kanë theksuar se së këtë proces pritet që noterë të zgjidhën edhe nga komunitetet pakicë në Kosovë.

Lëvizja “FOL, ÇOHU”! ,Columbus, Demokraci për Zhvillim(D4D), Demokracia Plus(D+) Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Për arsyet e lartëcekura kanë kërkuar që:

Ministri në largim Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter nga lista aktuale e kandidatëve për noterë;

Ministri i ri i Drejtësisë, urgjentisht të nisë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve;

Policia dhe prokuroria të nisin hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj;

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, shtetet e Quintit dhe komuniteti ndërkombëtar të reagojnë dhe të monitorojnë procesin e përzgjedhjes së noterëve për shkak të pasojave në vetë shtetet e tyre.

“Legjislacioni aktual për noterinë thotë se shërbimi i noterisë është shërbim publik dhe noterët duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm në ushtrimin e shërbimit të noterisë. Noterët e përzgjedhur në këtë procedurë, do të njihen si ‘noterët e PDK-së’ dhe asnjëherë nuk do të gëzojnë statusin e të qenit të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet në në reagimin e organizatave të shoqërisë civile./Indeksonline/