12:41 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

“Lëvizja” kërkon zbardhjen e vrasjeve të të burgosurve politik

Shoqëria “Lëvizja” ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 12 lëndë për hetimin e pjesëtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Lëvizjes Kombëtare, të cilët ishin vrarë nëpër burgje dhe prita, gjatë regjimit të Serbisë.

Xhevat Bislimi, kryetar i “Lëvizjes” tha se po kërkojnë që t’i hetojnë dhe t’i ndriçojnë këto raste.

Ai tha se pushteti serb ka pasur edhe bashkëpunëtorë shqiptarë për këto vrasje, por sipas tij, është detyrë e prokurorisë t’i gjejë dhe të tregojë se në çfarë niveli ka qenë bashkëpunimi i tyre.

“I dorëzuam tashmë 12 lëndë për t’u hetuar vrasja dhe mbytja në burg e veprimtarëve dhe drejtuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës kryesisht, por edhe të Lëvizjes Kombëtare përgjithësisht, t’u fillu prej Shaban Shalës, Fazli Grajçevcit, vëllëzërve Gërvalla, Kadri Zekës, Nuhi Berishës e Rexhep Malës, Abaz Mehmetit në Ferizaj që është mbytë në torturë e është hedhë nga kati i gjashtë e deri te Ukshin Hoti”, tha Bislimi.

Ai beson se Prokuroria do të punojë në zbardhjen e këtyre rasteve, ndërsa shtoi se janë duke përgatitur edhe dhjetëra lëndë të tjera për hetim.

“Këta sot janë dëshmorë të kombit dhe heronj, prandaj fati i tyre duhet të ndriçohet që shoqëria jonë ta ketë ndërgjegjen të qetë dhe publiku, familjet, bashkëveprimtarët, populli ynë të dijë për fatin e tyre, si u mbytën, si u arrestuan, si u torturuan, si u vranë, si u rrethuan, kush i kallëxoi, kush i ndoqi, kush e mori vendimin politik për t’i vrarë, kush i ekzekutoi, e të tjera”, tha Bislimi.

Anëtari i Kryesisë së “Lëvizjes” Bajram Ajeti tha se përgjegjësit për vrasjen e të burgosurve politikë janë të lirëe madje sipas tij punojnë nëpër institucionet qendrore. Por Ajeti nuk ka pranuar të japë emra apo të tregojë se për kë e ka fjalën.

“Përgjegjësit, mendojmë, kemi sot që shëtisin të lirë nëpër rrugët e Kosovës dhe pa dhënë përgjegjësi as pa kërkuar falje për të gjithë ato të këqija apo ato dëme që kanë bërë deri në marrjen e jetëve dhe mbytjen e njerëzve nëpër burgje vetëm pse ata e kanë dashtë atdheun e vet. Nuk kisha thanë sot, e dini ju, hulumtoni ju”, tha Ajeti.

Në këto 12 lëndë që u dërguan për hetim, janë emrat e 16 personave për të cilët shoqëria “Lëvizja” po kërkohet hetim për vrasjen e tyre.