15:30 / E Premte, 16 Dhjetor 2022 / B O

Lëvizja për Bashkim: Vendimet politike të një gjykate nuk mund ta ndërrojnë karakterin e një lufte

Lëvizja për Bashkim ka reaguar pas dënimit me 26 vite burgim ndaj Salih Mustafës. Në reagimin e LB-së thuhet se vendimet politike të një gjykate nuk mund ta ndërrojnë karakterin e një lufte.”Sot Dhomat e Specializuara me seli në Hagë shpallën dënimin drakonik
ndaj luftëtarit të lirisë, Sali Mustafës.

Që nga mënyra e krijimit, – nga presioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar
mbi institucionet e Kosovës dhe mbi përfaqësues të saj, nga kërcënimi
publik se “nëse nuk e formojmë ne, e formon Rusia në kuadër të OKB-së”,
e deri te qëllimi i hapur i saj (“të dy palët fajtore” dhe “pajtimi i
palëve”), – ka qenë e qartë se kjo gjykatë nuk do të ndajë drejtësi, por
do të shpallë vetëm vendime politike. Kjo edhe ndodhi sot.

Lëvizja për Bashkim, pa asnjë luhatje, që nga fillimi ka qenë kundër
krijimit të kësaj gjykate, e veçanërisht jo para se ta marrë dënimin e
merituar agresori dhe mekanizmat e tij, të cilët janë përgjegjës për
shumë masakra të tmerrshme në Kosovë dhe për mijëra dhunime e për
shkretimin e plotë të Kosovës.

Lëvizja për Bashkim mbetet e paluhatur dhe e bindur thellë se,
pavarësisht përpjekjeve të Serbisë e të një pjese të bashkësisë
ndërkombëtare për ta njollosur atë, lufta jonë ka qenë e drejtë e
çlirimtare” thuhet në reagimin e LB-së./Indeksonline/