12:34 / E Premte, 31 Korrik 2020 / indeksADMonline

Lëvizje të pakta ditën e Kurban Bajramit në sheshet e Prishtinës

Sot kur në të gjithë botën besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Kurban Bajramit, sheshet e Prishtinës nuk janë të mbushur me shumë njerëz. Një pamje jo e zakonshme për kryeqytetin që në festa ka më tepër lëvizje.

Qytetarët që u panë paraditen në sheshin “Nënë Tereza” po respektonin rekomandimet dhe po mbanin maska.

Arif Kabashi thotë se për shkak të masave që i ka ndërmarrë qeveria nuk po i ngjan në ditë feste Kurban Bajrami, por që sipas tij, këto masa kanë qenë të nevojshme duke e parë gjendjen e rënduar të të prekurve me COVID-19.

Kabashit thotë se për sot nuk ka planifikuar të bëjnë ndonjë vizitë tek ndonjë familjarë, ndonëse vizitat janë simbol i kësaj feste.

“Normal që nuk po ndihemi mirë… mirë është që janë ndaluar normal krahasuar me rrezikun. Jo nuk ka shenja të festës normale nuk ka asgjë për festë. Që është ndaluar është mirë, por është dashur me u parandalua më herët, nuk janë marra masat e nevojshme dhe të mjaftueshme, ka ardhur deri tek kjo sot jo për hir që është Bajram, por edhe po të mos ishte Bajram gjendja është shumë e keqe…Veç dal me ec çdo mëngjes.. nuk kam planifikuar dal me ec çdo mëngjes edhe sot dola”, tha ai.

Për rreth 4 orë ka pritur për të shkuar në Podujevë pasi që ishte në punë, por për Hazir Sfishtën kjo festë po i duket ëndërr.

“Kurrqysh, që tri-katër orë duke pritur nëpër stacion… Në shtëpi po shkoj…Njëherë sikur ëndërr jam”, thotë ai.

Kujtojmë se për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, u ndalua falja e namazit të Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë e Kosovës.