Lëvizjet e pakontrolluara dhe rreziku nga infeksionet, Spitali i Pejës njofton për orarin dhe rregullat e reja të vizitave
Nga 12 maji 2026, me qëllim të rritjes së sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimit të përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore, krijimit të qetësisë së nevojshme për trajtim dhe pushim të pacientëve, si dhe për të mundësuar mbarëvajtjen më efikase të punës në repartet spitalore, Spitali i përgjithshëm i Pejës njofton se do të ndryshojë mënyra e realizimit të vizitave te pacientët.
“Këto masa po ndërmerren për shkak se frekuentimi i madh dhe lëvizjet e pakontrolluara brenda spitalit rrisin rrezikun e infeksioneve, pengojnë procesin e trajtimit dhe krijojnë vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët që kanë nevojë për qetësi dhe kujdes të vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.
Prandaj:
• Hyrja në spital për vizitorët do të bëhet vetëm nga një hyrje dhe atë hyrja e Bllokut Kirurgjik (si në skicë hyrja e paraqitur me ngjyrë të kaltërt dhe foto pamje nga hyrja).
• Vizitat te pacientët të shtrirë lejohen vetëm nga ora 13:00 deri në orën 14:00.
• Secilit pacient do t’i lejohet vetëm një përcjellës. Përcjellësi ka të drejtë të dalë për furnizime apo nevoja tjera vetëm në intervalet kohore :
• nga ora 08:00 deri në orën 09:00
• nga ora 13:00 deri në orën 14:00
• nga ora 18:00 deri në orën 19:00
Përcjellësi do të pajiset me bexh identifikues dhe është i obliguar ta bartë atë gjatë hyrje-daljeve në spital.
Lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë orarit të paraparë për furnizime nuk do të lejohet dhe dera do të jetë e mbyllur.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, pasi këto masa janë në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe kujdesit më të mirë për pacientët.

