75 Mall Live Search
14:44 / E Hënë, 29 Mars 2021 / Blerim

Lewandowski lëndohet, humb ndeshjen e madhe të Kupës së Botës

Robert Lewandowski humb ndeshjen e ardhshme të Polonisë ndaj Anglisë, në Grupin I kualifikues të “Katarit 2022”, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Tashmë është konfirmuar edhe nga Federata Polake e Futbollit se sulmuesi i Bayernit ka dëmtuar ligamentet e gjurit në sfidën kundër Andorras, të dielën.

Lewaa, i cili ka qenë në formë të shkëlqyer, si në rang klubesh edhe në përfaqësuesen e vendit të tij, u zëvendësua gjatë fitores 3-0 me Andorran.

Skuadra e Paulo Sousas tani do të përballet me përfaqësuesen e “Tre luanëve”, që drejtohet nga Gareth Southgate, pa pikën referuese në sulm.

Edhe te Bayerni janë në ankth për shkallën e dëmtimit të 32-vjeçarit, pasi mund të mungojë në përplasjet jetike të sezonit në Bundesligë kundër Leipzigut dhe ndaj PSG-së në Champions, respektivisht më 3 dhe 7 prill.