Liberalizimi i vizave në pritje nga institucionet e BE-së
Pas votimit të Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, pritet të fillojnë procedurat vendimmarrëse në Institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Njohësit e çështjeve evropiane thonë se pas inicimit nga Komisioni Evropian, e tërë procedura mund të zgjasë 6 deri në 9 muaj, dhe nëse vlerësohet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, liberalizimi mund të na vije më së afërmi në vjeshtën e vonë.
Bazuar në procedurat për liberalizim të vizave, në Bashkimin Evropian rol luajnë tre akterë kryesorë: Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli Evropian. Artan Murati, njohës i çështjeve evropiane, thotë se fillimisht, Komisioni Evropian e bën vlerësimin se a janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim, pastaj iniciohet trialogu mes tri institucioneve të lartpërmendura.
“ Në këtë rast komisioni përgjegjës parlamentar në Parlamentin Evropian e mandaton parlamentin për ta hedhur në seancë plenare në votim çështjen për liberalizim të vizave për Kosovën, ku me shumicë të kualifikuar duhet të votohet për këtë veprim, njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Këshilli Evropian ku prapë nevojitet një shumicë e kualifikuar, pra, duhet të votojnë 55 % të vendeve të BE”, tha ai.
Murati tha për Radio Kosovën se në momentin kur ky vendim kalon në të dy institucionet e BE, në Këshill dhe Parlament Evropian, atëherë vendimi merret dhe publikohet në gazetën zyrtare të BE-së dhe pastaj hyn në fuqi:
“Që nga momenti i hyrjes në fuqi atëherë Kosova mund të përfitojë edhe liberalizimin e vizave. Nëse bazohemi në praktikat e kaluara rreth kohës për përfundimin e këtij procesi, zakonisht kjo periudhë ka qenë rreth 6 muaj, mirëpo ka mundësi që të jetë edhe më e stërzgjatur, varësisht se çfarë mund të ketë në agjendë në BE”, tha ai.
Murati thotë se me heqjen e vizave për Kosovën, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe Spanjën pavarësisht se nuk ka pranuar të japë viza për qytetarët e Kosovës. Sa i përket kriterit për luftimin e krimit dhe korrupsionit, Murati tha se ka rëndësi po aq sa ka pasur edhe demarkacioni, andaj, sipas tij, institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë pavarësisht se është kusht tjetër për liberalizim të vizave.