13:18 / E Martë, 18 Prill 2023 / A. M.

Liberalizimi i vizave, VV-ja: Rezultat i punës dhe angazhimit të qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ia ka atribuar qeverisë meritat për liberalizimin e vizave për kosovarët nga Parlamenti Evropian.

VV-ja, nëpërmjet një reagimi, thotë se e gjithë kjo është puna edhe angazhimi i qeverisë së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave.

“Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian” thuhet në reagimin e VV-së.

Tutje, partia në pushtet ka treguar edhe për hapat tutje pas verdiktit të sotëm.

“Kalohet shkalla e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sot Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nesër nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave dhe krejt çfarë mbetet është që vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe të hyjë në fuqi”, thuhet mes tjerash në njoftim.