Libia i bën kërkesë zyrtare Libanit për lirimin e djalit të Gaddafit, qeveria libiane do paguajë 11 milionë euro në këmbim të lirisë së tij
Këshilltari politik i Kryeministrit të Libisë, Ibrahim Dbeiba, mbërriti në Bejrut si kreu i një misioni zyrtar për të diskutuar me autoritetet libaneze kushtet për ekstradimin e Hannibal Gaddafit.
Sipas raportimeve të Lebanon 24, vizita e Dbeibas lidhet me procedurat ligjore të kërkuara për t’u përgatitur për lirimin e djalit të ish-udhëheqësit libian Muamar Gaddafi.
Më 17 tetor, një gjykatë libaneze vendosi të lirojë Hannibal Gaddafin me një garanci prej 11 milionë dollarësh. 50-vjeçari u arrestua në vitin 2015 dhe po mbahej në Liban. Vizita e delegacionit libian pritet të kontribuojë në stabilizimin e marrëdhënieve midis Libanit dhe Libisë.
Sot, presidenti libanez, Joseph Aoun priti delegacionin libian, i cili gjithashtu i dorëzoi gjykatës së vendit rezultatet e hetimit të kryer nga autoritetet libiane për zhdukjen e imamit shiit Musa Sadr në vitin 1978 në Tripoli, me kërkesë të Bejrutit.
Hannibal Gaddafi u rrëmbye në vitin 2015 nga luftëtarët e lëvizjes “Amal” nga Siria fqinje, ku jetonte si i dëbuar politik, dhe më vonë iu dorëzua autoriteteve libaneze.
Në vitin 2017, ai u akuzua për fshehjen e informacionit në lidhje me zhdukjen e Imam Sadrit. Megjithatë, avokati francez Laurent Bayon e kritikoi këtë vendim, duke theksuar se i pandehuri ishte vetëm dy vjeç kur Sadri u zhduk, pothuajse katër dekada më parë.
Imam Musa Sadr, një predikues shiit popullor, u ftua në Libi në fund të gushtit 1978 për të festuar përvjetorin e revolucionit të 1 shtatorit 1969. Nga Tripoli, ai do të nisej për në Romë, ku kishte një takim me Papën. Megjithatë, pas takimit me Kolonel Gaddafin, imami dhe dy shoqëruesit e tij u zhdukën.
Sipas një versioni, gjatë takimit, Gaddafi dhe Sadri patën një debat të nxehtë për çështje islame dhe Gaddafi dyshohet se e vrau atë menjëherë. Sipas një versioni tjetër, Musa Sadr dhe shoqëruesit e tij u burgosën nga Gaddafi.

