75 Mall Live Search
14:38 / E Martë, 16 Prill 2019 / indeksADMonline

Libri “Një shqiptar në CIA” zbulon të pathëna për bashkëpunimin e Xhafer Devës me amerikanët

Libri “Një shqiptar në CIA” zbulon të pathëna për bashkëpunimin e Xhafer Devës me amerikanët

Të dhëna të reja kanë dalur në dritë pas hapjes së fundi të shumë arkivave amerikane lidhur me figurën e një personazhi jo pak të përfolur, Xhafer Deva.

Në librin e publikuar javën që shkoi në Prishtinë “Një shqiptar në CIA” të autorit Bashmir Xhemaj, flitet edhe për rolin që kishte Xhafer Deva në operacionin secret amerikan për rrëzimin e Enver Hoxhës në Shqipëri në vitet 1949-1953.

Në këtë libër, sipas dosjeve të CIA-s, nofka e Devës ishte Decadal ndërsa ai ndërmjetësonte me amerikanët dhe kishte shumë vështirësi për të lidhur kontakt me Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

‘Në shumë letra të tij dërguar Mid’hat Frashërit dhe udhëheqësve të tjerë, ai kërkonte që grupit të kosovarëve t’i njihet e drejta e plotë e pjesëmarrjes duke luftuar për Kosovën dhe jo si një grup irredentist, pra juridikisht të mos konsiderohej si një grup i Jugosllavisë.81 “Përfundimisht, shqiptari i Kosovës është shqiptar vetëm kur kanë nevojë për të, por është jugosllav nga pikëpamja juridike dhe nuk meriton të jetë i përfaqësuar bashkë me vëllezërit shqiptarë”,82 shkruante tërë mllef Xhafer Deva”, thuhet në libër.

Ai insistonte që gjithsesi grupi i kosovarëve të angazhoheshin në Kosovë dhe jo në Shqipëri një mundësi që ndalohej nga amerikanët.

“Kosovarët e kishin ndarë mendjen se më parë do të luftonin për Kosovën, se sa për Shqipërinë. Duhej shkëputur sa më shpejt nga Jugosllavia dhe bashkuar me Shqipërinë. Edhe Xhafer Deva ishte i këtij mendimi, megjithëse kjo periudhë nuk ishte shumë në favorin e tij. Ai po harxhonte shumë kohë e mund për t’i mbajtur kosovarët afër, dhe nga ana tjetër për të arritur një marrëveshje me udhëheqësit e tjerë shqiptarë të emigracionit. Në të vërtetë, Deva nuk ishte sqaruar as me amerikanët dhe as me Komitetin, sa i përket të drejtës së kosovarëve për të kaluar në Kosovë. Kishte një ves të çuditshëm – të mos i ndante informatat me shumë njerëz” shkruan në libër.

Aty ka edhe shumë të dhëna të tjera të rolit bashkëpunues të Devës me amerikanët, i cili sikurse dihet, pas dështimit të këtij operacioni, ai u ndihmua nga amerikanët të vendosej në SHBA ku edhe vdiq në vitin 1978.

Libri biografik “Një shqiptar në CIA” flet për jetën e një personazhi jo fort të njohur nga Prizreni i cili arriti të bëhej pjesë e operacioneve të CIA-së në fund të Luftës së Dytë Botërore.