Liburn Aliu paralajmëron një mbledhje të rëndësishme, ministra nga rajoni vijnë në Kosovë

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka parlajmëruar se të mërkurën pritet të mbahet një komitet me ministra të rajonit, ku temë do të jetë transporti në regjion.
Këtë deklaratë, ministri e bëri gjatë një konferencë për media, në lidhje me rrjedhshmërinë dhe realizimin e punëve të realizuara të Rehabilitimit Gjeneral dhe Modernizimit të linjës Hekurudhore, transmeton Indeksonline
“Nesër kemi mbledhje të rëndësishme. Në Prishtinë do të kemi ministrat e regjionit, ashtu siç kemi pasur mbledhje të ngjashme në Bruksel, që kanë të bëjnë me koordinimin e transportit në regjion.
Do të flasim për korridoret dhe kyçjet. Këtë vit Republika e Kosovës e udhëheq këtë komitet dhe do të jemi mikëpritës nga mysafirët që vijnë nga gjithë regjioni”, është shprehur ai.
Kujtojmë se ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në nëntor të vitit të kaluar ishte pjesë në Samitin e Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021 në Beograd.
Në kryeqytetin e Serbisë, Aliu nënshkroi bashkë me ministrat e pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor marrëveshje që kanë të bëjnë me lidhjen e rajonit përmes hekurudhave. /Indeksonline/