11:14 / E Enjte, 16 Maj 2019

Liburn Aliu përkujton momente të qëndrimit në burgjet serbe me Ukshin Hotin

Sot u bën 20 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit. Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por edhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

E deputeti Liburn Aliu ka përkujtuar sot Ukshin Hotin si një njeri fantastik që do t’i duhej edhe sot Kosovës.

Aliu dhe Hoti qëndruan bashkë në burgjet serbe e ai sot ndau disa prej momenteteve që kaluan në këto burgje teksa fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

“Privilegj ta kishim profesor së paku në leximin e ndonjë libri, të njohim mendimin e tij e ta dëgjonim tek fliste për historinë. Do të mbetet përherë kujtimi për të në një dhomë të errët gjatë okupimeve ku neve të burgosurve shqiptarë na futnin shpesh në bodrume të errëta ku dëgjonim vetëm sirenat e alarmet. Aty ishte errësirë e plotë ku nuk shiheshim me njëri-tjetrin por vetëm dëgjonim zërat. E pikërisht atë natë po dëgjonim me vëmendjen ligjëratën e bacës Ukë. Ajo mbetet ligjërata e jetës sime”, tha Aliu, transmeton Indeksonline.

Ai shtoi se e panë atë të palëkundur e të pathyeshëm.

“E pamë duke mos u përkulur fare as në torturën e Nishit. Shembujt e tillë e bënin që për ne burgu të mos ishte aspak i rendë, të burgosurit qëndruan mirë dhe ruajtjtën dinjitetin edhe në burgjet në Serbi. E për këtë ndihmonin njerëzit e fortë si baca Ukë. Kemi rastin të dëgjojmë shprehje intelektuale se i guximshmi duhet kujtuar gjithmonë njeriun që ka dijen, definon të vërtetën dhe nuk heziton ta thotë atë. Nëse këtë e kujtojmë me një shprehje të thjeshtë, na bënë që disa intelektuale të mos jenë të vërtetë, pasi ka ata që dinë të vërtetën, por nuk e thonë atë”, shtoi ai.

Tutje i njëjti deklaroi se Ukshin Hoti ishte njeriu që nuk hezitoi asnjëherë të thotë të vërtetë, madje hezitoi që të mos thoshte kurrë të pavërtetën.

“Refuzoi të përçante popullin e tij dhe dija e shoqëruar nga cilësitë e tjera të dëshmuara në bazë politike e filozofike sot gjenden edhe në librat e tij. Ukshin Hoti shkoi duke menduar dhe thënë të vërtetën, a nuk u ndal së punuari me të gjithë nga punëtori i thjeshtë deri te intelektualët.Ai njihet si baca Ukë nga njerëzit që kishte pranë. Guximi i tij nuk ishte i momentit, guximi i tij ishte prezent gjithmonë pranë tij, i njëtrajtshëm dhe afatgjatë.Ka diçka që i parapriu atij guximi, ishte refuzimi ndaj joshjes para presionit. Ai me dijen e tij qëndronte larg çdo joshje, kjo ia bërë më frytdhënëse dijen e tij. Pikërisht në këto momente të vështirë për vendin do të ishte i nevojshëm karshi Serbisë. Na mungojnë të gjithë të pagjeturit pikërisht në këtë ditë kur i kujtojmë të gjithë”, përfundoi Aliu./Indeksonline/