75 Mall Live Search
12:15 / E Hënë, 08 Shtator 2025 / H F

Liderët europianë zbarkojnë në SHBA, Trump: Gati të kalojmë në fazën e dytë të sanksioneve kundër Rusisë

Liderë europianë zbarkojnë në shtetet e bashkuara, për të diskutuar mënyrat për ti dhënë fund luftës në Ukrainë. Njoftimi erdhi nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili theksoi gjithashtu se do të fliste shumë shpejt edhe me presidentin Putin. Pas sulmit më të madh ajror të Rusisë në Ukrainë që prej fillimit të luftës këtë fundjavë, kreu i Shtëpisë së Bardhë sugjeroi se ishte gati të kalonte në fazën e dytë të sanksioneve kundër Moskës.

“U kam dhënë fund 7 luftërave. Për këtë kisha menduar se mund të ishte më e lehta por kur ke të bësh me luftën asnjëherë nuk e di se çfarë ndodh. Por mendoj se do t’ia dalim edhe me këtë. Megjithatë nuk jam i lumtur me ata, me asgjë që ka të bëjë më këtë luftë. Disa liderë europianë do të vijnë në SHBA të hënën ose të martën, dhe individualisht do të diskutojmë mbi mënyrat se si mund t’i japim fund. Duhet ta bëjmë; 5 deri në 7 mijë ushtarë në javë po vdesin pa asnjë arsye”, tha Trump.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se sanksionet ishin ideja e duhur, ndërsa u bëri thirrje shteteve europiane të hiqnin dorë nga blerja e naftës ruse. Ai e cilësoi si të padrejtë faktin që disa partnerë europianë vijonin të blinin naftën dhe gazin rus.

“Rusia po përpiqet t’i shkaktojë dhimbje Ukrainës me sulme edhe më të pacipa. Është një shenjë e qartë se Putin po teston botën, nëse do ta pranojnë apo tolerojnë këtë. Prandaj është e rëndësishme që deklaratat e liderëve dhe krerëve shtetërore, të mbështeten nga veprime të forta kundër Moskës; sanksione kundër Rusisë ,individëve të lidhur me të dhe ndaj tregtisë. Mendoj se ideja e Trump për të vendosur tarifa ndaj vendeve që bëjnë tregti me Moskën, është shumë e mirë”, tha Zelensky.

Rusia ka shitur rreth 985 miliardë dollarë naftë dhe gaz që prej nisjes së luftës, me blerësit më të mëdhenj që janë Kina dhe India. Europa ka reduktuar ndjeshëm blerjet por nuk i ka ndalur plotësisht.  Që prej takimit të Trump me Putin në Alaskë muajin e kaluar, Rusia ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ndaj Ukrainës, ndërsa nga ana tjetër pretendon se është e përkushtuar për paqen. Bombardimet e fundit ajrore, më të rëndat deri më tani, vranë 4 persona dhe goditën për herë të parë selinë e qeverisë në Kiev. Rusia lëshoi 810 dronë dhe 13 raketa në sulm.