Liderët evropianë i bëjnë presion Rusisë për armëpushim 30-ditor në Ukrainë

Udhëheqësit evropianë i kanë kërkuar Rusisë të bjerë dakord për një armëpushim 30-ditor pa kushte me Ukrainën, duke filluar nga e hëna.
Thirrja u bë në një takim të “koalicionit të të vullnetshëmve” në Kiev.
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë u pritën nga Volodymyr Zelensky, ndërsa të tjerët u bashkuan nga distanca, shkruan BBC.
Ata e bënë njoftimin, pasi diskutuan planin në telefon me presidentin e SHBA-së Donald Trump, i cili fillimisht përmendi një armëpushim pa kushte.
Udhëheqësit kërcënuan Rusinë me sanksione “masive” nëse ajo nuk i përmbahet.
Rusia deri më tani ka këmbëngulur që përpara se të shqyrtojë një armëpushim, Perëndimi duhet së pari të ndalojë ndihmën ushtarake për Ukrainën.