Lidhja e Bizneseve e shqetësuar: Prodhimi vendor në kërcënim, rrezikohen vendet e punës

Gjendja e prodhuesve vendorë është bërë tepër e rëndë.
Disa kompani tashmë kanë filluar të reduktojnë prodhimin, dhe çdo zvogëlim i prodhimit nënkupton rrezikim të vendeve të punës, humbje të tregjeve ekzistuese dhe dëmtim të imazhit të produkteve “Made in Kosova”.
”Një situatë e tillë, përveçse shkatërron prodhimin vendor, ndikon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien e qytetarëve tanë”, thuhet në një reagim të Lidhjes së Bizneseve.
”Mbyllja ose dobësimi i bizneseve prodhuese nuk është vetëm problem i ndërmarrësve, por problem kombëtar që cenon ekonominë e vendit dhe të ardhmen e mijëra familjeve që jetojnë nga puna në sektorin e prodhimit”.
Shoqata e Prodhueseve në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës është tepër e shqetësuar për këtë gjendje të rëndë me të cilën po përballen prodhuesit tanë.
”Ne kërkojmë nga institucionet e vendit që të reflektojnë urgjentisht, të ndalojnë presionin e panevojshëm ndaj prodhuesve dhe të ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur dhe përkrahur prodhimin vendor, si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.