75 Mall Live Search
10:58 / E Enjte, 16 Shkurt 2023 / AR

Lidl në Kosovë, prezantohen planet e investimeve

Në vazhdën e bisedimeve me gjigantin global të shitjeve me pakicë, ‘Lidl Foundation & Co. KG’ Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, ka pritur në takim përfaqësuesit e kësaj kompanie, Tomasz Kuzma, Anëtar i Bordit të Divizionit për Zgjerim në Ballkan për Lidl,  Ermir Bajrami, Shef i Shërbimit Qendror të Lidl për Kosovë, dhe Moritz Schwab, Konsulent Ekzekutiv për Zgjerim në Ballkan për Lidl.

Lidl është një zinxhir i suksesshëm i dyqaneve ushqimore dhe jo ushqimore me cilësi të lartë me çmim më të mirë dhe i zgjeruar fuqishëm në tregun botëror.

Gjatë takimit, Ministrja Hajdari i ka njoftuar përfaqësuesit e Lidl për përgatitjen e kornizës ligjore për investimet e qëndrueshme dhe përparësitë e lehtësirat nga të cilat do të përfitojnë investitorët vendor dhe të huaj në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, përfaqësuesit e ” Lidl” prezantuan planin kohor të investimit për ndërtimin e qendrës logjistike dhe vlerën e shtuar të hyrjes së rrjetit Lidl në tregun e Kosovës, përkatësisht përfitimet që do të sjellë ky investim duke përfshirë përveç tjerash numrin e punëtorëve, bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe benefite të tjera për vendin tonë.

Ky takim i parapriu takimit të rrjetëzimit të biznesit, ndërmjet kompanisë “Lidl Foundation & Co. KG’ me kompanitë prodhuese nga Kosova, nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e  Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Në këtë takim me përfaqësues të “Lidl” morën pjesë 25 prodhues vendor të cilët shpalosën veprimtarinë e tyre e poashtu edhe interesimin për bashkëpunim të mëtutjeshëm në veçanti për mundësinë e eksportit të produkteve përkatëse.

Sa i takon eksportit, përfaqësuesit e “Lidl” prezantuan mundësinë e parë për eksport të prodhimeve kosovare në Rumani, shtet ky në të cilin “Lidl” operon me 350 pika shitëse, një mundësi e mirë  për prodhuesit tanë vendor.

Prodhuesit vendor të pranishëm në takim shprehën falënderimin për një mundësi të tillë të vlerësuar lartë prej tyre dhe për mundësinë e takimit të drejtëpërdrejtë me përfaqësues të “Lidl” të organizuar dhe moderuar nga MINT/KIESA.