23:21 / E Enjte, 04 Gusht 2022 / Gj. Sh

Liga e Evropës/Shkupi mposhtet si mysafirë i Shamrock Rovers

Skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Shkupi, ka pësuar humbje në ndeshjen e parë si mysafirë kundër Shamrock Rovers, e vlefshme kjo për raundin e tretë kualifikues drejt Ligës së Evropës.

Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Tallaght” janë shënuar plot katër gola, ku skuadra irlandeze Shamrock Rovers e ka mposhtur me shifrat 3:1 Shkupin, përcjell KosovaPress.

Golat për irlandezët i shënuan Burke (minuta e 13’), Watts (minuta e 29’) dhe O’Neill (minuta e 90+7’), kurse golin e nderit për Shkupin e shënoi Queven në minutën e 77’ të ndeshjes.

Po ashtu, skuadrës shqiptare iu vështirësuan punët kur Walid Hamidi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, respektivisht të kuq, në minutën e 84’.

Pas humbjes së sotme, ka ende shpresa për kualifikim tutje të Shkupit në Ligën e Evropës, ku ndeshjen e kthimit do ta zhvillojë si vendas në stadiumin “National Arena Toshe Proeski” më datën 9 të këtij muaji.