75 Mall Live Search
12:10 / E Shtunë, 27 Prill 2019 / indeksADMonline

Ligji amniston Thaçin – Ai s’ka obligim t’i përgjigjet asnjë Komisioni Hetimor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për më shumë se tri orë radhazi dje raportoi para Komisionit Parlamentar Hetimor lidhur me deportimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova. Në atë mbledhje, Thaçi u kritikua nga deputetët për mos-përgjigje në ftesat e mëhershme të Komisionit. Por, duke pasur parasysh dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, a ishte i detyruar Presidenti Thaçi t’i përgjigjej ftesës së Komisionit Hetimor Parlamentar për të dëshmuar? Sidomos në një mbledhje që eskaloi në sharje, ofendime e çka tjetër mes deputetëve të pozitës e opozitës .

Raportimi i Thaçit në Komisionin Hetimor Parlamentar për deportimin e gylenistëve u shoqërua me sharje, ofendime e çka jo tjetër mes deputetëve të pozitës e opozitës, duke devijuar nga tema e gylenistëve te debati për luftë.

Në këtë mbledhje, presidenti qëndroi më shumë se tri orë, pavarësisht përplasjeve e mos-koordinimit të deputetëve aty.

Thaçi u kritikua se po u ikte pyetjeve të deputetëve për gylenistët, duke iu kundërpërgjigjur atyre me pyetje.

Madje, deputetët e kritikuan Thaçin që s’po bashkëpunon me ta.

Por, bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, të miratuara pikërisht nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, presidenti nuk ishte fare i detyruar t’i përgjigjej ftesës së Komisionit Parlamentar Hetimor për të dëshmuar, sepse ai është  dëshmitar i liruar nga detyrimi për të dëshmuar.

Kjo pasi funksionimi i Komisionit Parlamentar Hetimor bëhet mbi bazën e parimeve kushtetuese, sipas të cilave themelimi dhe funksionimi i Komisionit Hetimor nuk duhet të cenojë pavarësinë apo ta pengojë veprimtarinë e organeve të tjera, në këtë rast as institucionit të Presidentit të Kosovës.

“Themelimi dhe funksionimi i Komisionit Parlamentar Hetimor duhet të jetë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara me ligj, duke mos e cenuar pavarësinë dhe duke mos e penguar veprimtarinë e organeve të tjera. (Shih Nenin 2, paragrafi 1 dhe 5 të Ligjit Nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar);”.

Ligjërisht rregullohet edhe çështja e ftesave në cilësinë e dëshmitarit në raste të tilla dhe specifikisht imuniteti i Presidentit, si më poshtë:

“- Ftesa në cilësinë e dëshmitarit –  i jep të drejtën Komisionit Parlamentar Hetimor t’i thërras bartësit e funksioneve publike të dëgjohen para Komisionit, për t’i sqaruar rrethanat e ndryshme që lidhen me çështjen qe hetohet. Ligji nuk njeh asnjë përjashtim lidhur me bartësit e funksioneve publike që mund të ftohen në cilësinë e dëshmitarit. (Shih Nenin 13.1(1.1) dhe Nenin 19.4. të Ligjit Nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar);

– Imuniteti i Presidentit – Në pajtim me Kushtetutën, Presidenti është kreu i shtetit, përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës, është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës (shih Nenin 4 (3), Nenin 83 dhe Nenin 84 (1, 2) të Kushtetutës). Presidenti gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit. (Shih Nenin 89 të Kushtetutës);”.

– Zbatimi përshtatshmërisht i Dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës lidhur me dëshmitarët e ftuar në Komisionin Parlamentar Hetimor – Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, lidhur me dëshmitarët janë të zbatueshme përshtatshmërisht. (Shih Nenin 18.2 dhe Nenin 19.8 të Ligjit Nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar).

– Dëshmitarët e privilegjuar dhe Dëshmitarët e liruar nga detyrimi për të dëshmuar sipas Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale – Si dëshmitar nuk mund të merret në pyetje personi i cili me deklarimin e vet do të shkelte detyrën e ruajtjes së fshehtësisë zyrtare ose ushtarake, derisa organi kompetent nuk e liron nga ky detyrim. Nga detyra e dëshmimit është i liruar çdo  person, për faktet që i ka mësuar gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij kur detyrohet ta ruaj si fshehtësi atë që e ka mësuar me rastin e ushtrimit të profesionit. (Shih Neni 126 (1.1)  dhe Neni 127 (1(1.5.) dhe 2)  i Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale). Me qenë se në Kod të Procedurës Penale, nuk është përcaktuar shprehimisht, atëherë përshtatshmerisht mund të aplikohen të dy situatat: Dëshmitarë i privilegjuar dhe Dëshmitarë i liruar nga detyrimi për të dëshmuar. Presidenti si dëshmitar nuk mund të merret në pyetje, ngase me  deklarimin e vet do të shkelte detyrën e ruajtjes së fshehtësisë zyrtare ose ushtarake, dhe duke marrë parasysh që Presidenti është kreu i shtetit, i cili garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe njëherit është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës, dhe si i tillë nuk ka ndonjë organ kompetent tjetër që e liron Presidentin nga detyrimi për ruajtjen e fshehtësisë zyrtare ose ushtarake.

Prandaj, gjatë ftesës së Presidentit,  në cilësinë e  dëshmitarit, në Komisionin Parlamentar Hetimor, duhet marrë parasysh që të mos cenohet pavarësia dhe të mos e pengohet Presidenti në veprimtarinë e tij.