16:09 / E Mërkurë, 01 Shkurt 2023 / mp

Ligji i ri i pagave “masakron” pagat e punëtorëve të ATK-së

Prezantimi i vlerës së koeficientit të pagave në sektorin publik nga qeveria e Kosovës që për këtë vit do të jetë 105 euro, ka nxit reagime të shumta tek punëtorët e institucioneve të ndryshme. Me koeficientin e caktuar, shumë  punëtorë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) do ti marrin rrogat për 300 euro më pak se sa i kanë aktualisht. Nga ky vendim janë dëmtuar drejtor të divizioneve, drejtor të drejtorive të ATK-së dhe disa të tjerë.

Këtë e ka bërë të ditur për IndeksOnline, Arlinda Bajraj, sekretare e Sindikatës së Punëtorëve të ATK-së.

Ajo ka thënë se inspektorët kanë përfituar nga ligji dhe koeficienti. Mirëpo kategoria e profesionistëve, që janë vartësit e inspektorëve kanë pagën më të vogël se inspektorët.

“Stafi profesional që do të dëmtohen më së shumti se veç po dihet që për inspektorë të operativës që është koeficient më i lartë. Por tani për tani zyrtarët të lartë tatimorë profesional që janë mbi inspektorët tatimor koeficienti i bie ti marrin mbi 300 euro më pak se sa e kishin pagën deri tani”, ka thënë Bajraj.

Ajo thotë se as me ligjin e pagave qysh nga fillimi është bërë diskriminim dhe se as me ligjin dhe as me koeficientin tash nuk pajtohen.

“Ne si sindikatë  jemi të pa kënaqur, do ti përdorim të gjitha mjetet të ligjore, që ti realizojmë të drejtat e zyrtarëve tonë dhe të rangohen aty ku e meritojnë. Qeveria ka thënë se do të bëjë nivelizim të pagave dhe jo zvogëlim të pagave deri në 300 euro. Ka punonjës që kanë obligime në banka , inflacioni është duke u rritur çdo ditë. Kjo është një stagnim i madh i ekonomive familjare. ATK i ka 800 zyrtarë edhe tash është një numër i madh i familjeve që preken direkt nga këto paga”, tha Bajraj.

Nëse bazohemi në ligjin e pagave tek kategoria e “Profesional” të administratës publike del se kanë koeficientin e pagës bazë 5.75 dhe 4 ku pagat bruto ju dalin  606 euro ose 420 euro.

Ndryshe, paga bruto e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së është 1470 euro, ndërsa e zëvendësit të tij 1312 euro. Duket që nga ligji dhe vendimi i koeficientit, pagat me rritje do ti marrin inspektorët e ATK-së me 735 euro pag bruto. /IndeksOnline/