13:41 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ligji për arsimtarët e viteve të 90-ta përplas SBASHK-un me Hamzën

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) përmes një kumtese për media ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Financave, Bedri Hamza, i cili u shpreh kundër përfitimeve të punëtorëve të arsimit në vitet e 90-ta, me arsyetimin se është ngarkim për buxhetin.

Kjo sindikatë pohon se e kanë ditur që Hamza do të dalë kundër ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip për vitet e 90-ta, mirëpo sipas tyre, jo për arsyet që po i thotë tani.

“SBASHK-u e ka dituar se Ministri Hamza do të dalë kundër Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta , jo për ato që po i thotë tani kudo që po i krijohet mundësia, por më shumë për arsye se  SBASHK-u  nuk pranoi  kërkesën e tij që të ndërpritej greva njëditore e 12 marsit dhe veprimet tjera sindikale”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u shprehen të habitur me paraqitjen e dy udhëheqësve sindikalë.

“Blerim Syla në emër të   Federatës sindikale të shëndetësisë dhe Ndue Kalaj në emër të  sindikatës së administratës publike kanë shkuar edhe më larg kundër këtij Projektligji dhe u kanë dërguar shkresa Qeverisë dhe Deputetëve me   kërcënimin se do të ngritin padi   ndaj tyre në gjykata po u bë ky Projektligj  për  pishtarët të dijes. SBASHK-u është i sigurt se anëtarët e këtyre dy federatave  nuk mendojnë si Syla e Kalaj sepse ata çmojnë lartë kontributin e mësimdhënësve shqiptarë në vitet e 90-ta kur të përballur me furtunat dhe dhunën e pushtuesit nuk e ndalën mësimin për as edhe një ditë dhe se edhe kur dëboheshin dhunshëm nga objektet shkollore i kthenin shtëpitë në shkolla dhe punonin e lëshonin dokumentacionin me vulën dhe emërtimin Republika e Kosovës. Ata që e përjetuan atë kohë të okupimit të rëndë e dinë se kush  e sa u angazhua dhe fakt et dhe vetë historia flet se ishte arsimi ai që, jo vetëm i tha jo Serbisë, por edhe vazhdoi me përkushtimin dhe me punën duke mbajtur gjallë shkëndijat e dijes dhe ëndrrën për shtetësinë e Kosovës. Kjo qëndresë e punëtorëve të arsimit ka mbetur e gjallë në kujtesën e popullit dhe prandaj individët nuk mund ta mohojnë sakrificën sublime të punëtorëve të arsimit në ato vite. Kolegët Syla e Kalaj i kujtojmë se sindikatat virtyt e kanë solidaritetin  dhe i gëzohen arritjeve të cilës do sindikatë”, thuhet në një pjesë të komunikatës.

Sipas SBASHK-ut,  Syla e  Kalaj për të fituar simpatinë e Ministrit  Hamza janë bërë pjesë e zyrës së tij për informim  dhe i janë bashkuar kundërshtimeve të tij pa as edhe një argument kundër Projektligjit për vitet e 90-ta.