15:33 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Ligji për Pagat, Besnik Tahiri: Do të ndërhyjmë në të gjitha nenet ku kemi mundësi

Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri në një konferencë për gazetarë ka treguar se do të respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e pagave, por se do të ndërhyjnë kudo që është lënë mundësia nga njoftim i aktvendimit të Kushtetueses, raporton IndeksOnline.

Tahiri i shoqëruar nga bartës institucional dhe përfaqësues të sindikatave ka thënë se ndonëse nuk kemi një vendim të prerë nga Gjykata kushtetuese nuk do të qëndroj duarkryq.

“Ne nuk kemi një vendim të prerë nga Gjykata Kushtetuese por kemi një njoftim nga kushtetuesja dhe për këtë nuk kemi qëndruar duarkryq dhe kemi bërë analizën. Ne si ta marrim vendim, aktgjykimin, po atë ditë do ta bëjmë publik grupin punues. Ajo që kemi parë nga ky njoftim mund të themi, çka do që nuk kontestohet si çështje nga vendimi i gjykatës do të trajtohet si e tillë dhe do të mbetet, për secilin kategori veç e veç. Ndërsa aty ku ka rekomandime, sugjerime eksplicite, menjëherë do të nisim punën që këtë ta bëjmë”, tha Tahiri në konferencën për gazetarë.

Ndërsa ka premtuar se çdo shkelje e cilësuar si e tillë nga Kushtetuesja do ta eliminojnë.

“Dhe nëse ka ndonjë sugjerim të prerë që diçka të hiqet, ne do ta heqim, për shkak se nuk ka instancën më të lart se Kushtetuesja për ta trajtuar këtë temë”, theksoi Tahiri, raporton IndeksOnline.

Ai tutje ka thënë se ndonëse është paraparë që ruajtja e pagës apo parashikueshmëria e saj,të caktohet me këtë ligj,  e cila sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese është sfiduar.

 “Ajo që dua të them tash se me sindikatat do të flasim shumë sinqertë dhe drejtpërdrejtë nuk është një proces i dëshirës në kuptimin që ta rrisim koeficientit sipas dëshirës. I lus që në këtë proces të jemi bashkë dhe ta kthejmë rregullin që ka munguar tash e 20 vite, dhe në këtë kuptim kërkoj nga organizatat buxhetore, sindikatat, që të mos ndodh që të shkojnë në kuvend me ba bllokime”, tha Tahiri.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese  ka konstatuar se 11 nene të Kushtetutës bien ndesh me Ligjin për Paga. /IndeksOnline/