20:51 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / OSH

Ligji për Rimëkëmbje ekonomike, a ka pasur takime mes LDK-së dhe opozitës?

Ka disa javë që po shtyhet për votim  në lexim të dytë, projektligji për rimëkëmbje ekonomike, kjo në mungesë të kuorumit dhe sigurimit të votave nga ana e koalicionit qeveritarë.

Në anën tjetër partitë e opozitës po kundërshtojnë votimin e këtij projektligji pasi që sipas tyre ai është i mangët. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës ky projektligj  nuk adreson problemet e vërteta të ekonomisë dhe pandemisë. Madje ata po kritikojnë edhe qasjen që ky projektligj ka ndaj shëndetësisë, sektor ky më i prekuri nga Covid-19.

Në anën tjetër LDK me gjithë orvatjet e fundit, po përpiqet që javën e ardhshme ta sjell në Kuvend për votim.

Shefi i grupit parlamentar  të LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për IndeksOnline, tha se është detyrim i të gjitha partive politike që ta trajtojnë këtë projektligj dhe të japin votën e tyre pro.

Ndërsa në lidhje dështimet e djeshme në komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, Gashi ka thënë se ky projektligj nuk ka nevojë të trajtohet në asnjë buxhet, meqë koha në të cilën është dashur të trajtohet, tashmë ka kaluar.

“Mendoj se kjo punë është detyrim i të gjitha subjekteve parlamentare me trajtu, tashmë si projektligj nuk ka nevojë me shku në komisionin për buxhet dhe financave, e ka kryer punën e vet. Me automatizëm ai projektligj duhet të kaloj në seancë meqë ka kaluar koha prej 2 muajsh”, tha Gashi.

Gashi tutje në lidhje me mundësinë e një ftesë për PDK-në që ta votoj këtë projektligj në leximin e dytë, tha se do të marrin parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që sipas tij janë të pranueshme, duke mos treguar nëse do t’i bëjnë një ftesë kësaj partie.

“Do të merren në konsideratë të gjitha vërejtjet e mundshme she sugjerimet të cilat janë të pranueshme, mendoj që nuk e rrezikon stabilitetin e fondit pensional”, tha Gashi.

Se a do të arrijnë t’i sigurojnë votat brenda koalicionit qeveritarë në lidhje me këtë projektligj kjo mbetet të shihet, por se një gjë është e sigurt, PDK-ja nuk do ta votoj ata pa ndryshimet e kërkuar nga kjo parti.

Deputeti i PDK-së Ferat Shala për IndeksOnline, ka thënë se deri në këto momente nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi me LDK-në apo dikë nga koalicioni qeveritarë. Sipas tij dihet se tashmë  LDK ka qenë kategorik që të mos diskutohen rekomandimet e opozitës.

“Ajo çka dihet ata e kanë obligim dhe detyrë me I siguro votat sepse janë pjesë e mazhorancës, ndërsa sa i përket komunikimit me Partinë Demokratike ne deri në këto momente nuk kemi pasur asnjë lloj komunikimin në kuptimin as privatë as zyrtarë. Siç dihet tashmë ata kanë qenë kategorik që të mos diskutohet e të mos marrin asnjë nga rekomandimet e opozitës në lidhje me këtë projektligj shumë të rëndësishëm për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës”, tha Shala për IndeksOnline.

Ndërkohë ai deklaroi se në momentin që do të kenë një ftesë për të diskutuar në lidhje me këtë projektligj, do ta analizojnë situatën dhe do t’i japin përgjigje adekuate.

Ndryshe PDK është kundër edhe tërheqjes së 10 për qind të mjeteve nga Trusti i Pensioneve, duke shtuar se ndonëse kjo duket si ndihmë afat shkurte për qytetarët, në aspektin afatgjatë dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë asnjëherë këto mjete.