75 Mall Live Search
23:37 / E Diele, 29 Maj 2022 / AR

Lija e majmunëve, OBSH: 257 raste të konfirmuara, pritet rritje

Deri më 26 maj janë konfirmuar257 raste laboratorike të lisë së majmunëve dhe rreth 120 raste të dyshuara. Por nuk raportohet për të vdekur. Kjo u njoftua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke specifikuar se “situata po evoluon me shpejtësi” dhe se “rastet e identifikuara do të rriten me zgjerimin e vëzhgimit në vendet jo-endemike, si dhe në ato që njihen si endemike që nuk kanë raportuar raste të fundit.

Sipas OBSH-së, “shumica dërrmuese e rasteve të raportuara deri më tani nuk kanë krijuar lidhje udhëtimi me një zonë endemike dhe janë paraqitur përmes kujdesit parësor ose shërbimeve të shëndetit seksual”.

OBSH thekson se identifikimi i rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara të lisë së majmunëve pa lidhje të drejtpërdrejta me një zonë endemike “është atipike” dhe një rast i lisë së majmunëve në një vend jo-endemik “konsiderohet një shpërthim”. Shfaqja e papritur e njëkohshme në disa vende jo-endemike “tregon se mund të ketë pasur transmetim të pazbuluar për disa kohë, si dhe ngjarje të fundit që kanë përforcuar përhapjen e virusit”.

Në raportin e saj, Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon tre veprimet e menjëhershme që duhen ndërmarrë: ofrimi i informacionit të saktë për ata që mund të jenë më të rrezikuar; ndalimi i përhapjes së mëtejshme midis grupeve të rrezikut dhe mbrojtja e punonjësve shëndetësorë në linjën e parë.