Limaj: Do ta respektojmë aktgjykimin e Kushtetueses – Basha të japë dorëheqje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij do ta respektojë në plotni aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e kuvendit.
Limaj në emisionin “Jehona politike” në Klan Kosova ka deklaruar se duhet parë aktgjykimi I plotë për të parë çfarë ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese dhe çfarë udhëzimesh ka dhënë.
“Është ende e panjohur derisa ta lexojmë aktgjykimin, dhe pastaj, mbi bazën e atij aktgjykimi, do të marrim vendime. Ajo çka mund t’iu them unë që tani, është se, si gjithmonë, ne vazhdojmë t’i ndjekim aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Limaj.
Tutje, Limaj ka folur edhe për kryetarin e ri të kuvendit, Dimal Bashën, të cilin tha se nuk e njeh si krytetar kuvendi dhe se i njëjti duhet të japë dorëheqje për shkak të punimit të tij shkencor në të cilin fyhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Nuk ka ofendim më të madh për Kosovën sesa ai të flet në emër të Kosovës apo të ulet atje dhe ta drejtojë Kuvendin e Kosovës, një njeri i cili deklarimet dhe qëndrimet e tij janë të barabarta me Dick Martyn, ‘Librin e Bardhë’ të Serbisë, me gjithë ata që betejën e kanë kundër shtetit të Kosovës dhe punojnë për shkatërrimin e këtij shteti”.
“Besoj që gjëja më e pakt që duhet të bëjë është të japë dorëheqje. E ka fyer dhe e ka ofenduar shtetin, kombin e vet, krejt diasporën e popullit të vet, popullin e vet e bën kartele të drogës”, tha ai.