75 Mall Live Search
15:10 / E Premte, 01 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kompleksi memorial “Adem Jashari” prioritet i Qeverisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka mbajtur sot takimin e parë të Komisionit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku mori pjesë edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Limaj tha se institucionet e Republikës së Kosovës duhet seriozisht të fillojnë të merren me këtë temë, raporton Indeksonline.

“Këto ditë u mor vendim për themelimin e komisionit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’, e që tregon se e kemi prioritet atë. Prekazi është vet historia e rrugëtimit të kombit tonë për shekuj dhe ne duhet t’ia japim vendin që i takon dhe përkushtimin e merituar. Të gjithë ne kur të vije projekti në përfundim, do të krenohemi me të”, ka theksuar Limaj.

Sipas tij, pas një kohe askush s’do të ketë nevojë të dal jashtë Prekazit për të mësuar historinë e popullit, ndonëse duhet shumë punë për të përfunduar projektin.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne se sa Kompleksi memorial, është shenjë e lirisë, krenarisë, dhimbjes, e gjithë asaj që ka përjetuar Kosova. Thjesht, Prekazi është historia jonë”, tha tutje Limaj.

I pyetur se pse u prit dy dekada për të marr një vendim të tillë, Limaj tha se edhe qeveritë e kaluara kanë punuar në Prekaz.

“Atje është punuar edhe deri tani, qeveritë e kaluara kanë punuar, disa faza janë analizuar dhe jemi në fazën përmbyllëse. Do të shikohet ajo që duhet të bëhet rishtazi dhe jemi në  fazën kur duhet ta mbyllim një herë e mirë, dhe t’ia mundësojmë qytetarëve kenë një kompleks që ia vlen ta vizitojnë”, përfundoi Limaj.

Po ashtu, Limaj u pyet se a e rrezikon Kosova veriun në këmbim të njohjes nga Serbia, derisa ka mohuar një gjë të tillë.

“Në tavolinën e Brukselit shkojmë për ta fuqizuar vendin tonë. Mos e hiqni prej mendjes këtë”, ka thënë Limaj.

Ndërkaq, kryetari Jashari falënderoi Qeverinë e Kosovës për këtë nismë që të marr më me prioritet kompleksin e familjes së tij.

“Respekt për këtë punë, Nuk është që s’është investuar në të, sidomos nga 2005-ta deri në 2010, konservimi ka qenë delikat për ne vendorët, dhe tani filluam si komitet dhe besoj se do t’ia dalim. Nuk ka pasur ligj të veçantë për kompleksin e u bë në fund të vitit të kaluar. Unë kam shprehur bindjen se qeveria do të përfundoj këtë projekt”, tha tutje Jashari. /Indeksonline/