Limaj ka një porosi për të ftuarit e Gjykatës Speciale
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj vlerëson se fati individual nuk mundet të jetë pengesë për zhvillimin e vendit. Ai u bënë thirrje të gjithë atyre që marrin ftesë nga Gjykata Speciale, të përgjigjen, dhe të kryejnë obligimin para ligjit. Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se është i bindur që edhe nga ky proces do të dilet pastër ashtu siç ka qenë UÇK-ja.
Derisa Gjykata Speciale veç ka filluar punën me lëshimin e ftesave për disa persona në Kosovë, Fatmir Limaj thotë se nuk duhet befasuar tani me veprimet e kësaj gjykate.
Në një intervistë për KosovaPress, Limaj kujton se Gjykata Speciale është votuar në Kuvendin e Kosovës, andaj sipas tij përgjegjësia mbetët tek votuesit.
Limaj, ndaj të cilit ishin ngritur shumë aktakuza kohë më parë, dhe një pjesë të madhe të jetës së tij e kaloi në gjykata, thotë se është i sigurt që edhe nga procesi i Gjykatës Speciale do të dilet ashtu siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kujtojmë se muajin që shkoi, ish-luftëtari i UÇK-së, Sami Lushtaku ka pranuar një ftesë që më 14 janar 2019 të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.
Përveç tij, ftesë zyrtare nga Gjykata Speciale kanë marrë edhe Rrustem Mustafa, Sokol Dobruna dhe Nazim Mehmeti dhe disa të tjerë.
Në gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë Po Gjykatës Speciale.
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, ata votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate, e cila u kërkua nga bashkësia ndërkombëtare.