75 Mall Live Search
18:12 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / LB

Limaj kërkoi vetëm postin e Kryetarit të Kuvendit, Nisma: Nuk pranuam të flasim për ministri

Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s, ka refuzuar çdo diskutim për poste ministrore, duke u përqendruar vetëm në kërkesën për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës.

Këtë e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi, gjatë intervistës në Five në RTV Dukagjini, ku tregoi se prioriteti i vetëm i Limajt dhe partisë së tij ishte pozita e kryetarit të Kuvendit, jo ndarja e pushtetit në ekzekutiv.

Sherifi theksoi se mandati për kryetar Kuvendi i takon mazhorancës, por edhe se partia më e madhe nuk mund ta zgjedhë atë pa numrat e nevojshëm.

“Mandati i kryetarit të Kuvendit i takon mazhorancës. Partia më e madhe e propozon kandidatin, por nëse nuk ka mazhorancë, nuk mund ta zgjedhë, siç edhe u dëshmua”, tha ai.

Ai zbuloi se megjithëse ka pasur diskutime të përgjithshme me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje, Limaj nuk ka pranuar të hyjë në negociata për ndonjë ministri të caktuar.

“Z. Limaj na ka thënë se kemi pasur një ofertë të mirë në kuptimin e diskutimeve të përgjithshme, por nuk është folur asnjëherë konkretisht për ministri. Ai nuk ka pranuar të diskutojë fare për poste. Ne kemi qenë të përcaktuar për partneritet në Kuvend”, u shpreh Sherifi.

Sipas tij, Limaj është një ndër deputetët më meritor për të udhëhequr Kuvendin, por një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse je pjesë e mazhorancës.

“Fatmir Limaj meriton të jetë kryetar i Kuvendit, por kjo kërkon domosdoshmërisht që të jesh pjesë e mazhorancës. Pa mazhorancë nuk zgjidhesh as kryeministër, as kryetar Kuvendi”, deklaroi Sherifi.