75 Mall Live Search
14:41 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

Limaj kërkon nga BE-ja që t’i mbajë fjalët dhe t’i liberalizojë vizat për qytetarë të Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Bilall Sherifi, ka pritur në një takim njoftues shefin e ri të Zyrës së BE-së, njëheresh përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, të cilit i ka uruar suksese në misionin e tij.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Limaj tha se integrimet evropiane janë përcaktimi dhe orientimi ynë si vend.

Kreu i Nismës ka ngritur çështjen e zvarritjes së liberalizimit të vizave, duke shprehur pakënaqësinë me zvarritjen e panevojshme në këtë proces.
Po ashtu ai ka thënë se pret nga BE-ja që t’i mbajë fjalët dhe t’i liberalizojë vizat për qytetarë të Kosovës, në mënyre që të rinjtë tanë të lëvizin lirshëm në kryeqendrat evropiane.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Limaj tha se nevojitet një agjendë e qartë me kohë të caktuar në mënyre që të arrihet te marrëveshja përfundimare me njohje reciproke midis dy vendeve.
Z. Szunyog, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës në agjendën e integrimit evropian, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, si edhe për të kaluar sfidat që ka sjellë pandemia COVID-19 në fushën e ekonomisë.