20:19 / E Premte, 28 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Limaj koordinohet edhe me Ali Ahmetin për dialogun me Serbinë!

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njëherësh edhe bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë, ka pritur në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet politike në vend me fokus të veçantë dialogun Kosovë- Serbi. Limaj tha se Delegacioni Shtetëror i votuar nga Kuvendi i Kosovës është në fazën e koordinimit me institucionet tjera kushtetuese. Sipas Limajt, është shumë më rëndësi që Kosova të ketë një qëndrim unik në këtë proces.

“Kosova është e interesuar të futet në një dinamikë e cila do të sillte sa më shpejt mbylljen e një marrëveshjeje me Serbinë që do t’i sillte paqe rajonit, dhe në respekt të interesave të dy shteteve. Delegacioni është duke punuar në mbledhjen e materialeve dhe dokumentacionit të deritashëm që është diskutuar në Bruksel”, ka thënë Limaj.

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Bisedime tha se Kosova futet në këtë dialog me objektiva të qarta; arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila çon në njohje reciproke dhe mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizata tjera ndërkombëtare. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se mbështet fuqishëm Delegacionin Shtetëror të votuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Ahmetit është shumë më rëndësi që të krijohet konsensus sa më i gjërë në fazën finale të dialogut me Serbinë. “Institucionet e Kosovës kanë përkrahjen e plotë për përmbylljen e kontestit midis Prishtinës dhe Beogradit me njohje të ndërsjellë të të dy vendeve. Institucionet e Kosovës e kanë legjitimitetin e plotë për ta vendosur të ardhmen e vet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Sa i përket zhvillimeve politike në Maqedoni, Ahmeti ka thënë se shumë shpejt do të përmbyllen ndryshimet kushtetuese.