19:27 / E Diele, 27 Dhjetor 2020 / Blerim

Limaj: Kosova është në një situatë kritike, betejën do ta bëjmë në mbrojtje të vendit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar takimet me strukturat e Nismës anëkend vendit. Pasditën e së dielës, Limaj, ka qëndruar në Lipjan ku është takuar me kryesinë e degës së Nismës në këtë qytet.

Aty ka shpalosur vizionin e tij për zgjedhjet e ardhshme e parakohshme parlamentare. Limaj ka thënë se Kosova sot është e atakuar nga të gjitha anët dhe po duan që vendin me kthy në një shtet jofunksional dhe të padëshirueshëm nga qytetarët.

I pari i Nismës i ka ftuar anëtarët e kryesisë së Nismës në Lipjan që garën mos ta bëjnë për të, por për të mbrojtur shtetin.

“Është një situatë kogja kritike për vendin, Kosova është në rrezik sepse tash e disa kohë po preket dhe po tentohet me u cenu ky shtet. Është kriju modë që cdo gjë që është arrit më përbuzë e më sha dhe me kthy në dicka të gërrditshme. Në jetën politike janë shumë të rëndesishme vendimet dhe rreshtimet.

Në këtë situatë të turbullt të sulmnuar nga të gjitha anët është shumë më rëndësi me gjetë rrugën për rreshtim të drejtë që nesër me qenë krenar për këtë rreshtim dhe jo më u turpëru”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Kreu i Nismës ka thënë se të qënurit anëtar i një partie ka kuptim kur je në shërbim të vendit dhe në cdo kohë e ngritni zërin kundër atyre që dëmtojnë vendin.

“Prandaj angazhimi ynë do të jetë në mbrojtje të vlerave kombëtare”, ka shtuar Limaj. Ai ka thënë se betejën në këto zgjedhje do ta bëjnë në mbrojtje të vendit.