75 Mall Live Search
18:36 / E Premte, 04 Shtator 2020 / indeksADMonline

Limaj mbështet marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, thotë se i jep shtytje të madhe zhvillimit të ekonomisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

“Marrëveshja për Normalizim Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë që parasheh investime miliardëshe në shumë fusha është e mirëpritur për Kosovën. Investimet në infrastrukturë hekurudhore, rrugore, në rrjetin e gassjellësit etj. do t’i japin shtytje të madhe ekonomisë së vendit tonë”, thuhet ndër të tjera në postimin e Nismës në Facebook.

Postimi i plotë:

” Nisma Socialdemokrate mbështet marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë mes shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshja për Normalizim Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë që parasheh investime miliardëshe në shumë fusha është e mirëpritur për Kosovën.

Investimet në infrastrukturë hekurudhore, rrugore, në rrjetin e gassjellësit etj. do t’i japin shtytje të madhe ekonomisë së vendit tonë!

Gjithashtu, pas kaq viteve të ngecjeve në procesin e njohjeve, njoftimi nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump që Israeli dhe Kosova do ta njohin njëra tjetrën reciprokisht, është mëse e mirëseardhur.

Njohja nga Israeli është dëshmi për përkushtimin e madh dhe të vazhdueshëm të SHBA-ve në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës nga shtetet tjera!