Limaj me veteranë kundër 20-vjeçarëve në lojë futbolli për nder të dëshmorëve të Brigadës “121 Kumanova”
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të Brigadës 121 Kumanova dhe dëshmorëve të kësaj brigade, sot në Kleçkë të Malishevës është mbajtur turneu në futboll të vogël.
Hapjen e turnirit e bëri zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj. Ai me këtë rast tha se nga sot fillojnë aktivitetet për nder të 20-vjetorit të Brigadës 121 e që do të përfundojnë të shtunën me një akademi përkujtimore.
“Simbolika e këtij takimi është se ndeshja do të jetë mes neve veteranëve të UÇK-së të kësaj brigade me djemtë që janë lindur në ’98-ën, e që sot janë 20-vjeçar në shenjë të 20-vjetorit të Brigadës 121 dhe dëshmorëve të brigadës. Nga sot fillojnë aktivitetet tona dhe do të kulmojnë të shtunën me akademinë që do të mbahet në Kleçkë në ora 20:00, në përkujtim të dëshmorëve të Brigadës 121”, tha ai.
Veteranët e Brigadës 121 Kumanova u sfiduan në futboll nga të rinjtë e lindur në kohën e luftës në Kosovë, të cilën e fituan këta të fundit me rezultat 3:1. Ndryshe, gjatë ditës zëvendëskryeministri Limaj ka vizituar edhe varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, për të nderuar dëshmorët e Brigadës 121 Kumanova.