13:01 / E Mërkurë, 20 Janar 2021 / OSH

Limaj merr mbështetje në Ferizaj për zgjedhjet e 14 shkurtit

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zhvilluar disa takime me bashkëluftëtarë, struktura e qytetarë të Ferizajt, qytet për të cilin ka thënë se është kthyer në promotor të projektit  për mbrojtjen e vlerave kombëtare.

Limaj gjatë qëndrimit në Ferizaj ka zhvilluar dy takime të mëdha, të cilat i ka cilësuar si të ngrohëta me bashkëluftëtarë dhe struktura të Nismës Socialdemokrate, në Neredime dhe në nëndegën I në qendër të Ferizajt.

“Është pikërisht ky vullnet real e me zemër i bashkëluftëtarëve, të rinjve e njerëzve të ndershëm në Ferizaj dhe gjithë Kosovën, qe po na jep forcë për betejën tonë për mbrojtjen e vlerave kombëtare, të cilën do ta çojmë deri në fund”, ka shkruar Limaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Në fund, Limaj ka falënderuar mbështetësit e tij në Neredim dhe Ferizaj, që po mbështesin kandidatët e kësaj partie për deputetë dhe që jeni rreshtuar krah vizionit e projektit të tij për zgjedhjet e 14 shkurtit.