18:06 / E Shtunë, 27 Tetor 2018 / indeksADMonline

Limaj nga Skenderaji kërkon mobilizim dhe fuqizim

Nisma Socialdemokrate konsideron që Drenica ka nevojë për ndryshim dhe qeverisje ndryshe. Nga Skenderaj, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka kërkuar mobilizim dhe fuqizim të Drenasit dhe Skenderajt.

Zëvendësministri i Kosovës ka thënë se në nivel qendër Nisma po bënë politikë ndryshe dhe po tregon tjetër vizion.

Fatmir Limaj ka takuar sot strukturat e degës së Drenasit dhe Skenderajt. Nga aty, Limaj ka kërkuar nga strukturat e partisë së tij që të komunikojnë me qytetarët dhe të punojnë karshi kërkesave të tyre.

“Po përpiqemi aty ku jemi, ku kemi përgjegjësi, për të quar sinjale, për të treguar që jemi ndryshe, që bëjmë një politikë ndryshe, për të treguar që demonstrojmë një vizion tjetër, por kjo është e pamjaftueshme për të dalë aty ku duam, andaj duhet të fuqizohemi“, tha ai.

Ai tha që Nisma në Prishtinë e ka kryer detyrën e saj ndaj Skenderajt dhe Drenasit, dhe që tash pret që këto të fundit të fuqizohen.

“Nga këto dy komuna që jemi sot i keni dy ministra me prejardhje nga këto komuna. I keni dy zëvendësministra. Këtë e kemi bërë për të nderuar por nuk do ta keni kështu nëse nuk e bëjmë betejn politike. Duhet ta meritojmë angazhimin politik dhe kjo varet nga ju se si do të përfaqësohemi e fuqizohemi në nivel qendror. Është koha me u mobilizuar, shfrytëzoni zëvendësministrat në kuptimin pozitiv në komunat, fshatrat e juaj, në nevojat dhe kërkesat që kanë njerëzit…..Besoj që Nisma Socialdemokrate në Prishtinë e ka kryer detyrën e vet ndaj Skenderajt dhe Drenasit, presim që Skenderaj dhe Drenasi të fuqizohet dhe të ketë vendin aty ku duhet. Unë këtu jam në vendlindjen time sikur të gjithë të tjerët, këtu kemi qindra bashkëluftëtarë”,  tha ai.

I pranishëm në tubim ishte edhe kryetar i Këshillit të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i cili foli për historinë e Drenicës ku tha se krenohen me të, por sipas tij, nuk mund të thuhet njëjtë për qeverisjen aktuale në këto dy komuna.

“Të gjithë ne në Drenicë krenohemi me historinë e Drenicës, dhe është mirë, krenohemi më të vjetër dhe më të re të Drenicës. Ne do të dëshironin të krenoheshim edhe më të sotmen dhe sidomos me ata që qeverisin me dy komunat e Drenicës, por nuk mund ta themi këtë, ne duhet ta ndryshojmë. …. Drenica ka nevojë për ndryshim, Drenica ka nevojë për shkolla ku fëmijët tanë mësojnë mirë…. Ata që qeverisin sot në Skenderaj dhe Drenas, nuk kemi kurrfarë inati se e kemi kaluar një rrugë në një kohë të vështirë së bashku, por sot na ndajnë mënyra se si komunikohet me njerëz dhe si vlerësohet liria dhe në fund të fundit cili është angazhimi dhe pse jemi angazhua në politikë, tha ai.

Isa Xhemajli, kryetar i degës së Drenasit, tha se aktualisht kjo komunë nuk po qeveriset por po sundohet nga një monark.

“Komuna e Drenasit nuk po qeveriset, ajo tani po sundohet nga një monark që nuk punon për interesin e qytetarëve por për interesin e tij dhe klanit që e rrethon. Në Drenas nuk ka asnjë investitorë te jashtëm siç ishte proklamuar, pavarësisht vizitave të shtrenjta nëpër Evropë e deri në Australi me pagat e taksapaguesve tonë. Këto vizita po bëhen më shumë për të shikuar ndeshje futbolli të ligave evropiane dhe për të kënaqur etën dhe njerëzit e tij sesa për t’i sjellë diçka të mirë njerëzve të vendit tonë”, tha ai.

Në tubimin me strukturat e partisë dega Skenderaj dhe Drenas, u kërkua bashkëpunim mes partisë, komunikim me qytetarë dhe ofrim mundësie për figura të reja që mund të kontribuojnë në Nismë.